Katër ditë para se të përfundojë afati kushtetues për formimin të qeverisë së re nga mandatari i dytë për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, s’ka sinjale për sigurimin e një shumice parlamentare në Kuvend. Në PDK, LDK dhe AAK janë të vendosur se nuk do të votojnë Glauk Konjufcën për kryeministër.
Madje në partinë e Ramush Haradinajt thonë se eksponentë të LVV-së kanë tentuar të lobojnë për të siguruar votat e AAK-së, mirëpo pavarësisht kësaj nuk do të ndryshojnë qëndrim. Të njëjtët e shohin si zgjidhje vetëm zgjedhjet e parakohshme, që në bazë të afateve kushtetuese, mund të mbahen në fund të muajit dhjetor. Njohësit politik i shohin deklarimet e ish-opozitarëve si indikacione të qarta se as Konjufca nuk i ka votat për të formuar qeverinë e re.
Pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca u mandatua për kryeministër nga presidentja Vjosa Osmani. Konjufca ka afat që deri më 19 nëntor të thirret seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe ta prezantojë kabinetin qeveritar për të kërkuar votëbesimin e deputetëve.
Me t’u mandatuar për kryeministër, Konjufca kishte kërkuar votën e ish-partive opozitare, por siç ka thënë ai, pa pasur nevojë për koalicione qeverisëse.
Ditë më parë kryetari në dorëheqje i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se s’kanë votë për Konjufcën kryeministër, derisa u shpreh i bindur se ai do të dështojë të formojë qeverinë e re.
Përkitazi me këtë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, thotë për KosovaPress, se LVV-ja e di që s’i ka votat për formim të qeverisë së re, andaj do të shkojnë deri në ditën e fundit të afateve kushtetuese dhe më pas në seancë të jashtëzakonshme të bëjnë shoë para qytetarëve.
Duke shprehur votën kundër Konjufcës për kryeministër, Zogaj thotë se të njëjtit nuk kanë kontaktuar LDK-në dhe as ndonjë deputet individualisht për të kërkuar votë për formim të qeverisë. Sipas tij, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja të parakohshme.
Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, thotë për KosovaPress, se eksponentë të ndryshëm të LVV-së kanë tentuar të kërkojnë votë për Konjufcën, por që nuk do të ndryshojnë qëndrim.
Ai thotë se AAK-ja s’është e interesuar të votojë për një qeveri të LVV-së dhe se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kriza politike janë zgjedhjet e reja.
“Nuk do të ketë votë për Glauk Konjufcën. Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për të ndërtuar qeveri sepse që nga seanca e parë kur ishte për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe deri në ditën e sotme, LVV dhe Kurti nuk kanë qenë të interesuar për të ndërtuar institucionet… Nuk besoj se do të ketë ndryshime pasi të gjitha partitë e kanë thënë edhe në takim me presidenten se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë do të jenë zgjedhjet që duhet të mbahen sa më shpejt. AAK-ja nuk është e interesuar të votojë zotëri Konjufcën dhe nuk ka pasur asnjë kontakt dhe bisedë. Kanë provuar individë të caktuar me lobu dhe me lyp votë për Glauk Konjufcën, por sidoqoftë AAK-ja nuk ka votë për Glauk Konjufcën. E vetmja zgjidhje për të dalë nga ky ngërç do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe presim nga presidentja t’i shpallë sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaron Brahimaj.
Duke u bazuar në këto deklarata të ish-partive opozitare, analisti politik, Albinot Maloku, është skeptik se Konjufca do t’i sigurojë votat për ta formuar qeverinë e re.
Madje ai thotë se nuk sheh që rezultati i zgjedhjeve lokale të japë ndonjë efekt që Konjufca të sigurojë shumicën parlamentare në Kuvend.
“Nuk ka asnjë indikacion që na lë me besu se mund të ketë një votim për këtë qeveri, qofte për arsye të ndryshme. Nuk kemi të bëjmë me një qeveri teknike pasi prapë është një qeveri politike. Qeveria teknike ka një përmbajtje dhe kuptim tjetër. Nuk e shoh që ky proces zgjedhor i nivelit lokal mund t’i japë ndonjë efekt real të mundësisë së ecjes përpara të sukseseve që mund t’i pretendojë zotëri Konjufca si i mandatuar për kryeministër”, thekson Maloku.
Kosova s’ka themeluar institucionet e reja edhe pas nëntë muajsh nga zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Si pasojë e funksionalizimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të qeverisë së re, po rrezikohet buxheti për vitin 2026.



Të tjera
Bashkim Jashari feston ditëlindjen, Bekimi e uron duke e quajtur krenari të familjes dhe luftëtar të palëkundur
Mësoni a keni shokë të vërtetë
BE-ja po i shqyrton mënyrat për lëvizjen e pajisjeve ushtarake brenda unionit në rast lufte