Sveçla: Serbia vazhdon të planifikojë sulme terroriste në Kosovë

Serbia vazhdon të planifikojë sulme terroriste në Kosovë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Serbia, përmes bandave kriminale dhe terroriste, vazhdon të planifikojë dhe të ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës.

 

Sipas tij, dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonatorë ndezës me fitila në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq.

Sveçla theksoi se shtrirja e Policisë së Kosovës dhe prania e institucioneve të sigurisë kanë bërë të mundur kapjen e këtyre mjeteve, duke parandaluar sulme të mundshme që synonin shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe frikësimin e qytetarëve.

Ai u shpreh se nuk ka kthim pas dhe se Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe Republika e Kosovës janë të vendosura përballë bandave kriminale, duke u përgjigjur ashtu siç meritojnë. Kushtetueshmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia, sipas tij, do të ngadhnjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze dhe kriminale.