AAK ka njoftuar se pas mbledhjes së Kryesisë ka marrë qëndrim të prerë për zgjedhje të reja parlamentare, duke theksuar se nuk do të hyjë në koalicion me VV dhe nuk do ta votojë Glauk Konjufcën për mandatim.
Edhe LDK deklaron se Konjufca nuk do të arrijë të formojë qeverinë dhe se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme.
Ndërkohë, PDK thotë se, njësoj si Albin Kurti, do të dështojë çdo tentativë për të zgjatur procesin nga VV.
Opinionisti Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka bërë thirrje që, nëse partitë janë kundër Albin Kurtit si kryeministër, atëherë të votojnë Glauk Konjufcën për të shmangur zgjedhjet e reja, të cilat, sipas tij, kushtojnë dhe dëmtojnë punëtorët, pensionistët dhe ata që paguhen nga buxheti i Kosovës.
“Duke e ditur se çka ju pengon, duke e ditur etjen tuaj të madhe për pushtet e jo shumë për shtet, duke ditur e njohur ambiciet tuaja, duke ju njohur nga e kaluara që nga paslufta dhe nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ju thërras:
Nëse jeni kundër Albin Kurtit për kryeministër, votojeni Glauk Konjufcën!
Po, këtë ua them sinqerisht dhe pa të keq. Evitojini dy palë zgjedhje të Kosovës, sepse kushtojnë, po edhe të mos i lini punëtorët, pensionistët e të gjithë të tjerët që paguhen nga buxheti i Kosovës pa paga”, thotë ai.
Mehmeti paralajmëron se nëse vendi shkon në zgjedhje në prag të Vitit të Ri, vota do të anojë sërish fort kah LVV-ja, madje sipas tij partia e Kurtit mund të kalojë edhe 50% ose të shkojë drejt 60%, duke qenë në gjendje të formojë vetë institucionet, pa kushte nga subjektet e tjera politike.
Prandaj, nëse jeni kundër Albinit, votojeni Glaukun.
Këtë e them që më pastaj të mos e quani diktator, sepse vetë do ia mundësoni.
E, nëse Albini është i vështirë për bashkëqeverisje, Glauku është pak më ndryshe, siç e dini edhe ju vetë.
Unë vetë as nuk jam me ju e as me Albinin! Sipas mundësisë, do jem me Kosovën, ai që mbron territorin dhe sovranitetin e Kosovës, jo me atë që gjithçka shtetërore i duket se është private dhe vetëm e tij. Jo!
Diaspora, shihet se është për Albinin. Ajo është për zgjedhje në Kosovë. Jo vetëm ata, por do ndikojnë edhe në familjarët e tyre ta votojnë LVV-në dhe do të kalojë ndoshta edhe 60%-dëshi i fitores së LVV-së, me çka, nuk do të mund të luajë e as ta kushtëzojë më Duda Bale, as Lista Serbe e as partitë e tjera për formimin e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe institucioneve të tjera.
Unë po çuditem, kur kryetarë e aktivistë të partive tjera, rrahin gjoks se secila do dalë e para!
Jo, absolutisht , jo. Këta muaj ngërçi mbahen mend nga votuesit se të gjitha partitë i kanë kontribuar këtij ngërçi dhe i kanë mundësuar edhe Albin Kurtit të qeverisë, si kryeminsitër në detyrë.
Opozita e ka humbur rrugën.
LVV doli fituese në zgjedhjet lokale, në zgjedhjet parlamentare do dalë edhe më e fortë” – përfundon ai për gazetën.



Të tjera
Mbroni aksesorët nga ndryshku
Nuk do ta harrojmë asnjëherë fitoren ndaj Serbisë në Leskovc
Jemi bllokuar në rrugën e integrimit, s’po kërkojmë bamirësi, por respekt për punën e reformat