Nga Dedë Preqi
Në kuptimin fillestar të fjalës «ujk» nuk është i pranishëm kuptimi absolut i ndonjë interpretimi si qasje dhune apo autokracie, por bëhet fjalë për atë që ka ndjenja të forta dhe guximtare për vendin dhe popullin e vet, që kanë bërë të mundur lëvizjen e njerëzve për të ecur të lirë nëpër tërë territorin e vet pas luftës në Kosovë, dhe jo thjeshtë njerëz që e drejtojnë historinë në vendin e vet.
Në shumicën e rasteve, njerëzit bien pre e mashtrimeve dhe justifikimeve të «matrapazëve» të ndryshëm politikë, me pretendimin e një pushteti të gabuar, duke menduar se do të sjellin në një mënyrë a tjetër edhe imazhin njerëzor, duke mos llogaritur të qenit të zhveshur në kuptimin e rebelimit të brendshëm apo të jashtëm, si dhe rrezikun dhe turbullirat e mundshme nga «shtriga plakë» që e kemi në fqinjësi.
Ish-opozita, PDK, LDK dhe AAK, me disa paterica të tjera politike, e dëshmojnë vetë se janë ende opozitë, të cilat nuk e luajnë rolin e opozitës meritore, por të asaj qyqare, që nuk janë as mish e as peshk, ndërsa tërë energjitë e tyre politike i shpenzojnë të përllogaritura vetëm për ta rrëzuar nga pushteti Albin Kurtin, njeriun që bëri të mundur tiparin e shtetit funksional dhe të fuqishëm — profili i një vepre të papare në këtë vend, ku mund të përfitojnë të gjithë njerëzit, pa dallim.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se LVV dhe udhëheqësit e saj, Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe të tjerë, nuk janë ata që e përcaktojnë fatin e këtij populli dhe shteti demokratik, por nuk janë as ata që duhet t’i refuzojmë në mënyrë absolute, sikur të mos ishin njerëz që përputhen me realitetin ekzistues dhe me konceptin e pushtetit njerëzor të këtij vendi, që karakterizon zotërimin, integritetin dhe integrimin e plotë të njeriut të këtij vendi, për të jetuar i lirë dhe i qetë në tërë territorin e vet.
Asnjë popull në botë nuk e ka të sigurt dhe të garantuar lirinë e vendit të vet, por ajo liri që ke para sysh duhet vendosur drejt në atë vend, sepse në të vërtetë është shpresa dhe vullneti i mirë ai që duhet të kthehet në një udhëheqje njerëzore dhe të bëhet pjesë e karakterit të tij, pa paragjykime dhe kushtezime.
Askund në botë nuk ekziston një etikë e përsosur mbi përdorimin e pushtetit të drejtë dhe pa keqpërdorim, sado që të mendohet mirë dhe të ngulitet në mënyrë të efektshme, sepse kudo, më pak apo më shumë, ekziston një edukim adekuat për këtë qëllim — as te elita politike dhe as te bashkësia njerëzore. Por ne në Kosovë duhet të jemi të kënaqur që kemi një elitë për të cilën, me plot të drejtë, mund të themi se i jep një faqe të re dhe të drejtë historisë sonë, dhe që na bën krenarë.



Të tjera
Anëtarësimi në NATO është më urgjent se integrimi evropian
Mbroni aksesorët nga ndryshku
Nuk do ta harrojmë asnjëherë fitoren ndaj Serbisë në Leskovc