Dëshmitari i mbrojtjes, Clark gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ka folur për një paralajmërim që i kishte bërë presidenti amerikan George H Bush në vitin 1992, Sllobodan Millosheviqit që nëse nuk ndalonte dhunën, do të kundërpërgjigjeshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo përgjigje e tij, erdhi pas pyetjes që iu parashtrua nga mbrojtja e Thacit, se çfarë ishte i ashtuquajturi paralajmërimi i krishtlindjeve që kishte bërë Bush atë kohë.
“Gjatë negociatave të Dejtonit më 1995 ju përmendet se kishit dijeni se presidenti George Bush kishte dhënë një paralajmërim të ashtuquajtur paralajmërimi i krishtlindjes”?
“Kur filluan negociatat unë nuk kam qenë në dijeni të këtij paralajmërimi, diplomatët e dinin në fakt këtë gjë, por publiku në përgjithësi e ne që punonim në ushtri që kishin qenë të dislokuar në vende të tjera në dhjetor të 1992 nuk ishin në dijeni. Për shkak të dhunës që ishte shënjestruar ndaj popullatës shqiptare nga policia serbe e nga MUP-i në veçanti brenda Kosovës, presidenti George H. Bush, iu drejtua Millosheviqit dhe i tha që duhet ta ndalonte menjëherë dhunën ose përndryshe SHBA-ja do të kundërpërgjigjej. Ishte një referencë që përdorej nga forcat ushtarake për të ndaluar represionin, dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.
Ai tregoi se bashkë me Holbrook-un kishin kontaktuar Millosheviqin, i cili kishte refuzuar të fliste për këtë temë.
“Unë dhe Holbrook e kontaktuam dhe ai tha se nuk do të flasë për këtë, është shteti im, problemi im. Refuzoi të fliste për këtë temë, dhe u përpoqëm më shumë se një herë në fakt. Ne e dinim që ishte e rrezikshme kjo gjë, e dinim që atje kishte vështirësi, por ai nuk donte të fliste për këtë gjë”, tha Clark.
Clark vijoi dëshminë e tij duke treguar se si kishte kuptuar për sulmin e Serbisë në familjen Jashari në 1998.
“Unë shkova në Maqedoni, më duket që kanë qenë ditët e para të marsit, isha në Maqedoni, kishim një task-forcë amerikane që ishte vendosur para disa vitesh për të qëndruar në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë. Më merr në telefon ambasadori amerikan në Shkup, Hill, më tha se duhet të flisni menjëherë me presidentin e Maqedonisë, Gligorov, kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja e Jasharëve, kishte shqetësime për këtë gjë. Kur shkova të takoja presidentin Gligorov, ai më shpjegoi se tani do të fillojë një konflikt për shkak të kësaj, kjo vrasje do të nxisë një konflikt, ai më tha se shqiptarët do të kundërpërgjigjen, nuk do ta pranojnë këtë që ndodhi, shqiptarët do t’i rezistojnë, do t’i kundërpërgjigjen kësaj vrasje”, tha Clark për bisedat që ka pasur me presidentin e asaj kohe të Maqedonisë.
Ai tregoi se pas kësaj kontaktoi menjëherë Pentagonin për t’i njoftuar e për t’i paralajmëruar se Millosheviqi do të çeltë një konflikt të ri, e mbase, sipas tij, duhej të përsëritur paralajmërimin i ashtuquajtur i krishtlindjes i 1999-s.
Nis dëshmia e Wesli Clark në Hagë|LIVE
Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, është ulur këtë të hënë në karrigen e dëshmitarit të mbrojtjes në gjykatën e Hagës, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Wesley Clark që në vitin 1999 e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, në sallën e gjyqit është i shoqëruar nga përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Luka Mishetiqit nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, gjenerali i dekoruar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara do të do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për të zbatuar marrëveshjen Holbrook -Millosheviq, nga tetori i 1998 dhe për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 119.
Gjithashtu, tha se do të flasë për fushatën ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë, dislokimin e forcave në Kosovë në përputhje me marrëveshjen teknike ushtarake dhe rezolutën e OKB-së 1244, dhe për procesin e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së.
“Po ashtu do të përshkruaj se ka qenë në dijeni për valën e dhunës në verën e 1999-s, pas kthimit të refugjatëve kosovarë në vendin e tyre, dhe ia atribuon dhunën faktorëve të ndryshëm, përfshirë urrejtjen, hakmarrjen gjakmarrjen dhe bandat kriminale”, tha ndër të tjera avokati Mishetiq për atë që do të dëshmojë përgjatë dy ditësh, sa mendohet se do të zgjasë dëshmia e tij si dëshmitar i mbrojtjes në Hagë.
Tutje, sipas tij, gjenerali Clark nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ka qenë e angazhuar në këto akte dhune kundër serbëve apo pakicave dhe as Thaçi nuk ka pasur motiv për tu përfshirë në veprimtar të tilla.
“Clark do të përshkruaj komunikimet e ndryshme që ka pasur me UÇK-në, delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje dhe konkretisht me Thaçin. Ai deklaron se nuk e ka konsideruar UÇK-në si një organizatë të strukturuar mirë me funksionim nga lartë poshtë, apo do të kishte strukturë komande apo kontrolli. Ai, po ashtu ka parë që mungonte kontrolli në fakt, dhe Thaçi nuk kishte kontroll ndaj UÇK-së, dhe se ai ka qenë thjesht një figurë politike pa përvojë ushtarake dhe që kishte influencë të kufizuar ndaj ushtarëve të UÇK-së. Bazuar në përgjegjësinë e përgjithshme të Clark dhe konstatimet e tij të drejtpërdrejta, ai beson se është e padrejtë t’i atribuohen gabimet e të tjerëve Thaçit”, ka thënë tutje Mishetiq, për atë që do të dëshmojë Clark si dëshmitar i mbrojtjes në Hagë.



Të tjera
Gjermania mbetet ndër partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Kosovës në proceset e paqes, sigurisë dhe integrimit euroatlantik
Dëmet që i shkaktoni fytyrës nëse flini pa pastuar grimin
“Kriza parlamentare: Konjufca kërkon shumicën, opozita frenon Qeverinë – LVV përfiton”