Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që “të tregojnë racionalitet e maturi” e të marrin pjesë në seancën e thirrur të mërkurën në ora 11:00, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje, përfshirë edhe ajo mbi ndarjet buxhetore dhe çështjen e financimit të RTK-së.
Përmes një njoftimi në Facebook, Vetëvendosje thekson se në vitin 2020 kishte votuar për buxhetin e vitit 2021, edhe pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur jokushtetuese Qeverinë Hoti, shkruan KosovaPost.
“Lëvizja VETËVENDOSJE!, grupi i saj parlamentar, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për nesër në orën 11:00, për të trajtuar çështjet dhe sfidat që presin përpara vendin tonë. Ndër të tjera, kjo seancë përfshin tema të rëndësishme si buxheti për vitin 2026, buxheti për RTK-në dhe buxheti për disa komuna. Po ashtu, në këtë seancë pesë pika të rendit të ditës trajtojnë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej një miliard euro financim, prej tyre 90 milionë euro grant nga BE-ja. Ftojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që me racionalitet e maturi t’i përgjigjen kësaj seance dhe kësisoj të votojnë këto ligje e marrëveshje të rëndësishme, që vendi të mos përballet me sfida të tilla dhe kështu të ecim përpara”, ka shkruar VV-ja në Facebook.
“Kujtojmë se në vitin 2020 Lëvizja VETËVENDOSJE! pati votuar për buxhetin e vitit 2021 edhe pasi Gjykata Kushtetuese e pati rrëzuar, shpallur jokushtetuese Qeverinë Hoti dhe vendi po shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”, ka shkruar Vetëvendosje.
Ndryshe, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00, ndërsa në atë të orës 14:00, ku do të votohet për qeverinë e propozuar nga mandatari Glauk Konjufca do të marrin pjesë.



Të tjera
Fishekzjarrë, fishkëllima dhe nga një pikë për Kosovën e Zvicrën
Ushqimet më të mira që duhet ngrënë në vjeshtë
Mos bini pre e këtij mashtruesi