Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mohuar kategorikisht pretendimet se ai ka qenë i pranishëm në fshatin Reçak para vitit 2001. Pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, Kelmendi doli para mediave ku dha një deklaratë të gjatë mbi akuzat dhe raportimet e fundit mediatike.
Kelmendi tha se para vitit 2000 nuk ka ushtruar asnjë funksion në sistemin e drejtësisë.
“Kurrë në jetën time, deri në vitin 2001, nuk kam qenë në fshatin Reçak. Kurrë s’kam qenë as gjyqtar, as prokuror, as hetues para vitit 2000, kur jam zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë,” deklaroi ai.
Ai njoftoi se do të publikojë një biografi të detajuar për të sqaruar çdo paqartësi lidhur me karrierën dhe jetën e tij.
Kelmendi akuzoi gazetarin Vehbi Kajtazi dhe portalin që ai drejton për, siç tha, shpifje dhe tentim të ushtrimit të ndikimit në punën e Prokurorisë.
“Ky portal dhe ky person i quajtur Vehbi Kajtazi, jo rastësisht sot ka publikuar një artikull kundër meje, për të dezinformuar gjithë opinionin e Kosovës dhe për të thënë gjëra që kurrë në jetën time nuk i kam bërë,” u shpreh Kelmendi.
Sipas tij, raportimet e fundit janë hakmarrje, pasi ai kishte refuzuar kërkesat e Kajtazit për ndërhyrje në disa raste të caktuara.
“Ai ka qenë tek unë për të pasur përfitime në disa raste që i kam pasur në punë, për të bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në dobi të biznesve që ai i përfaqëson. Pasi refuzova, ai më ka dërguar edhe SMS shantazhuese. Për këtë ka qenë i njoftuar edhe ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi,” tha Kelmendi.
Ai shtoi se deklarimi i tij në Prokurorinë Speciale e konfirmon versionin e tij dhe se qytetarët duhet të informohen drejt.



Të tjera
Reagimi i Kelmendit: “Shkrimet e fundit për Reçakun janë të pavërteta dhe shpifje”
Haziri paralajmëron: “Kriza ka me u thellu, zgjedhjet nuk janë zgjidhje”
Murati: “Opozita e bashkuar vetëm kundër Kurtit, jo për të mirën e qytetarëve”