Bislimi thotë se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat

Bislimi thotë se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në darkën joformale ministrore BE-Ballkan Perëndimor.

Ai falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas për ftesën dhe Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, gjersa përgjatë takimit zëvendëskryeministri pati mundësinë për t’iu adresuar të pranishmëve.

Zëvendëskryeministri theksoi rrezikun që shfaqin për demokracinë dhe zhvillimin kërcënimet e sigurisë dhe sulmet e vazhdueshme hibride dhe rëndësinë e unitetit në përballjen ndaj tyre.

Në vijim, ai uroi Shqipërinë dhe Malin e Zi në avancimin e rrugëtimit të integrimit evropian dhe hapjes së kapitujve drejt anëtarësimit në BE, si dhe përkushtimit të Ukrainës dhe Moldavisë ndaj integrimit në unionin evropian.

Shtoi se Kosova ka mbështetur dhe vazhdon të përkrahë Ukrainën në luftën e tyre kundër agresionit rus.

Në lidhje me progresin e vendit tonë, zëvendëskryeministri theksoi se përkundër barrierave me të cilat jemi përballur, kemi arritur të shënojmë avancim në shumë fusha. Veçoi konvergjencën e mirë drejt të ardhurës mesatare në BE, uljen e papunësisë nga 23.8% në 10.9%, shtesat për fëmijë dhe nënat lehona, progresin në zbatimin e reformave drejt integrimit në BE, harmonizimi i plotë i politikës së jashtme me BE, menaxhimi i mirë i migrimit pas liberalizimit të vizave, indikatorët pozitivë në luftimin e korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

Zëvendëskryeministri tha se Kosova meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, gjersa vendi ynë gëzon dhe mbështetje të fuqishme qytetare ndaj integrimit.

Ai theksoi gjithashtu rrezikun që vjen ndaj interferencave të elementeve malinje që e shohin rajonin si hapësirë për destabilizim dhe largim të vëmendjes nga lufta në Ukrainë, ndërsa integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës sfidohet e sulmohet në vazhdimësi nga fqinji ynë verior, si me shkrim përmes letrave të depozituara në BE ashtu edhe përmes akteve terroriste në terren të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar.

Bislimi përmbylli fjalën e tij duke thënë se momenti gjeopolitik aktual shfaq nevojën dhe rëndësinë e sigurisë evropiane dhe zgjerimit. Në këtë kontekst dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe arritja e konsensusit në vendimmarrjen brenda BE-së përbën një hap kyç në këtë proces dhe mesazh të fuqishëm uniteti.