Ish-pjesëtarë të formacioneve paraushtarake, anëtarë të grupeve ultradjathtiste, njerëz me dosje kriminale, madje edhe vrasës të dënuar, kanë qenë të pranishëm në mesin mbështetësve të pushtetit në Serbi në javët dhe muajt e fundit.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) ka shkruar disa herë për angazhimin e tyre në ruajtjen e ambienteve të partisë në pushtet, Partia Progresive Serbe (SNS) në disa qytete të Serbisë, si edhe në vendin qendror të mbledhjes së mbështetësve të pushtetit, në të ashtuquajturin Qaciland, një kamp me tenda i ngritur midis Presidencës dhe Kuvendit të Serbisë.
Predrag Petroviq, drejtor i kërkimeve në Qendrën e Beogradit për Politikën e Sigurisë, e përshkruan Qacilandin si një kamp paraushtarak ose parapolicor, në të cilin ndodhen njerëz të gatshëm të përdorin dhunë fizike.
“Shtetasit janë të sigurt vetëm nëse e anashkalojnë këtë kamp me një hark të gjerë”, thotë Petroviq për REL-in.
Në një nga paraqitjet e tij të fundit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vlerësoi se ky kamp është “simbol i ekzistencës së Serbisë, simbol i lirisë dhe i rezistencës”.
“Një vend i vogël në zemër të Serbisë, prej nga nisi rezistenca; rezistenca ndaj okupimit; rezistenca ndaj rrënimit të Serbisë. Dhe, ky simbol i rezistencës ekziston edhe sot, simbol i forcës së Serbisë që nuk mund ta rrëzojnë”, e përshkroi Vuçiq kampin para Kuvendit në fund të tetorit të këtij viti.
Predrag Petroviq vlerëson se presidenti me këtë deklaratë pranoi “se forcat jashtëinstitucionale kanë shumë rëndësi për ‘mbrojtjen e Serbisë’, pra për shpëtimin e pushtetit të tij”.
“Ai e kuptoi se qytetarët që protestojnë mund të mobilizohen shumë shpejt. Prandaj e mban këtë kamp”, thotë Petroviq.
Duke përdorur mjete publike për njohjen e fytyrës, gazetarët e REL-it kanë identifikuar gjatë muajve të fundit një numër personash me dosje kriminale, jo vetëm në Qaciland.
Për pyetjet e REL-it lidhur me individët me dosje problematike në radhët e mbështetësve të pushtetit, nga Partia Progresive Serbe nuk është dhënë përgjigje.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, deri në publikimin e artikullit, nuk kanë ardhur përgjigje nëse policia është në dijeni që në kampin para institucioneve më të rëndësishme shtetërore qëndrojnë persona të dënuar më parë për vepra të rënda penale, si edhe nëse qytetarët janë të sigurt në afërsi të tyre.
Të dënuar për vrasje në radhët e mbështetësve të pushtetit
Vladan Sretenoviq, i cili deri së fundmi ishte në arrati dhe në kërkim nga Serbia për një dënim të formës së prerë për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, është një nga rojet në hyrje të kampit, siç tregojnë pamjet e REL-it.

Sretenoviq është dënuar më parë për veprën më të rëndë penale. Ai ka kaluar 15 vjet në burg për një vrasje që kreu në vitin 1997. Në një deklaratë për TV Happy në vitin 2021, Sretenoviq dëshmoi se kishte vrarë një njeri për shkak të një borxhi financiar dhe një sharjeje.
Ai e përsëriti veprën e rëndë në vitin 2016, kur rrahu rëndë një person në Arile të Serbisë perëndimore. Për këtë vepër u dënua në vitin 2023 me një vit e gjysmë burgim. Pas shqyrtimit të dënimit, ai u arratis në Kroaci dhe u arrestua e u ekstradua në Serbi vetëm në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave të marra nga gjykata e Zagrebit.
Nga përgjigjja e Administratës serbe për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, e cila për REL-in informoi se Sretenoviqi ka kryer dënimin, nuk është e qartë se kur saktësisht ai ka dalë nga burgu dhe nëse dënimi i është ulur dhe në çfarë baze.

Në gusht, REL-i identifikoi në Qaciland edhe Gjorgje Preliqin, ish-udhëheqësin e një prej grupeve të tifozëve të Partizanit. Preliq është dënuar për vrasjen e tifozit francez Brice Taton në Beograd në vitin 2009.
Ai ka qenë katër vjet në arrati, dhe u dënua fillimisht me 35 vjet burgim në mungesë. Më vonë, pas kthimit të çështjes në rigjykim, u arrestua në Spanjë dhe në procesin e përsëritur u dënua me 10 vjet burgim.
Ai u lirua me kusht në vitin 2021.
Gjatë protestave kundër Qeverisë në gusht, selinë e SNS-së në Novi Sad e siguronte edhe Jovan Coja Kecman, ish-udhëheqës i grupit të tifozëve “Korida” të klubit futbollistik Novi Sad.
Sipas Gjykatës së Lartë të Novi Sadit, në vitin 2018 Kecman u dënua me shtatë vjet burgim për vrasje në tentativë dhe prodhim, mbajtje e trafikim të paautorizuar të armëve.
Ai është dënuar për vrasje në tentativë ndaj ish-policit Dalibor Bogdanoviq Boqa.

Në Vojvodinë, mes mbështetësve të pushtetit që në gusht ruanin ambientet e SNS-së dhe përlesheshin me demonstruesit kundër Qeverisë, REL-i e identifikoi Stojan Knezheviqin.

Sipas Gjykatës së Lartë të Somborit, ai është dënuar në vitin 2011 me dy vjet burgim për prodhim dhe mbajtje të paautorizuar armëve dhe mjeteve shpërthyese, dhe në vitin 2015 me tetë muaj burgim për shpërdorim detyre.
Për disa vepra më të lehta penale është dënuar edhe nga Gjykata Themelore në pesë procese të ndara nga viti 2012 deri në vitin 2019.
Ai sot është kreu i Klubit të Boksit Sombor, i financuar nga administrata lokale.
Paramilitarë në radhët e mbështetësve të pushtetit?
Në korrik 2025, REL-i identifikoi në kampin e mbështetësve të Qeverisë edhe Vladimir Vuçetiqin, person që Prokuroria Speciale e Kosovës e ka akuzuar si pjesëmarrës në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023.

Vuçetiq është i akuzuar si pjesëtar i grupit që ngarkohet me terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Grupi, i veshur me uniforma dhe i armatosur rëndë, u përlesh me Policinë e Kosovës në shtator 2023 në fshatit Banjskë, ku u vranë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë.
Si shumica e të akuzuarve, edhe Vuçetiq është në arrati dhe ndaj tij është lëshuar një kërkim ndërkombëtar përmes UNMIK-ut.
Kur në mars 2025 u vendosën tendat e para, kësaj “bllokade” iu bashkuan edhe ish-pjesëtarë të “Beretave të Kuqe”, njësi e sigurisë shtetërore e përfshirë në krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë dhe në vrasjen e kundërshtarëve politikë të presidentit autoritar Sllobodan Millosheviq. Njësia u shpërbë në vitin 2003 pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq.
Ish-pjesëtarët e Beretave të Kuqe në kampin proqeveritar në mars i udhëhiqnin Goran Radosavlljeviq Guri dhe Zhivorad Zhika Ivanoviq.

Goran Radosavlljeviq është kolonel policie në pension dhe ish-komandant i Xhandarmërisë serbe. Ai është lidhur me vrasjen e shtetasve amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, për çka Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në SHBA.
Zhivorad Zhika Ivanoviq është ish-pjesëtar i Njësisë për Operacione Speciale (JSO).
Në Qaciland ka qëndruar edhe Dragosllav Bokan, i njohur për themelimin e formacionit paraushtarak “Shqiponjat e Bardha”, që vepronte në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Bokan është ndjekur penalisht dy herë në Serbi për mbajtje të paligjshme armësh dhe për grabitje.
Ai është së fundmi kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar në Beograd.

Në fillim të nëntorit, REL-i identifikoi në kampin para Kuvendit edhe Zllatko Novkoviqin, shtetas amerikan me prejardhje serbe dhe me pasaportë ruse. Novkoviq u filmua duke i kërcënuar me therje demonstruesit kundër Qeverisë, jashtë kampit me tenda.
Ai është ish-pjesëtar i formacioneve paramilitare çetnike që vepronin në rrethinat e Sarajevës të rrethuar gjatë viteve ’90. Në rrjetin rus VK ai paraqitet si rezervist i ushtrisë ruse në Ukrainë.

Krah për krah me përfaqësuesit e pushtetit
Në Qaciland, së bashku me persona me biografi të dyshimta, herë pas here kanë qëndruar edhe funksionarë lokalë të SNS-së, ministra, kryeministri dhe presidenti i shtetit.
Funksionari i SNS-së dhe ish-hendbollisti Vladimir Mandiq është filmuar disa herë pranë Kuvendit të Serbisë, dhe në një video të televizionit Insajder shihet duke goditur me shkelm një student të protestës më 1 maj në Beograd.

Mediat lokale raportuan në nëntor edhe për një sulm të Mandiqit ndaj ekipit të televizionit KTV nga Zrenjanini dhe ndaj Nemanja Sharoviqit, gazetar dhe ish-deputet i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit.
Vladimir Mandiq është gjykuar për vrasje në tentativë të truprojës së babait të tij, Momçilo Mandiq, ish-ministër i drejtësisë në qeverinë e entitetit Republika Sërpska në vitin 1992.
Sipas portalit KRIK, pas 13 vjetësh gjykimesh ai u shpall i pafajshëm në mungesë provash. Mandiq nuk u përgjigj pyetjeve të gazetarëve të KRIK-ut dërguar përmes kompanisë së tij.
Protestat në Serbi vazhdojnë prej më shumë se një viti. Ato filluan pas shembjes së një çatie betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 njerëz.
Demonstruesit fajësojnë korrupsionin dhe neglizhencën, që ishin në qendër të kërkesave të tyre, të cilave shtatë muaj më vonë iu shtua kërkesa për zgjedhje të parakohshme – diçka që pushteti refuzon ta bëjë.
Protestat janë shoqëruar nga dhuna, me dëmtim e shkatërrim të objekteve të partisë në pushtet, dhjetëra të lënduar, arrestime dhe paraburgime të përhapura të pjesëmarrësve.



Të tjera
Alarmi nga Ebola, frikë se mund të përhapet në të gjithë botën
Osmani shpërndan Kuvendin e Kosovës, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja
Procedurat e Speciales në kundërshtim me standardet evropiane