Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nga ky post, duke e cilësuar vendimin si një akt reflektimi, përgjegjësie dhe dashurie për qytetin.
Në një reagim drejtuar qytetarëve dhe strukturave të LDK-së, Tahiri theksoi se dorëheqja nuk vjen nga lodhja apo zhgënjimi, por nga dëshira për t’i hapur rrugë energjive të reja brenda degës së partisë në Vushtrri.
Tahiri kujtoi rrugëtimin e tij politik që nga viti 2009, kur mori drejtimin e FRLDK-së në Vushtrri e më pas në nivel qendror, si dhe angazhimin e tij si kryetar i Komunës së Vushtrrisë në periudhën 2017–2021, të cilën e cilësoi si nderin më të madh të jetës së tij politike.
Ai publikoi edhe rezultatet elektorale të LDK-së në Vushtrri ndër vite, duke përmendur veçanërisht vitin 2017 kur, sipas tij, me votën e qytetarëve u bë i vetmi kandidat fitues i LDK-së në Rajonin 02 në 20 vitet e fundit.
“LDK për mua nuk është vetëm parti. Është vlerë, amanet dhe rrugëtim i jetës,” u shpreh Tahiri, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.
Megjithëse po tërhiqet nga drejtimi i degës në Vushtrri, Tahiri theksoi se do të vazhdojë angazhimin politik në Kryesinë Qendrore dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke e konsideruar këtë dorëheqje si “hap prapa vetëm në pozicion, jo në angazhim”.
Ai shprehu besimin se rruga e bashkëpunimit do të vazhdojë të sjellë të mira për qytetin dhe partinë.



Të tjera
Jemi krenar me ty!
Organizohet Kampionati Ekipor dhe Individual për pinpong Kosovë – Shqipëri për seniorë
Pasuria lidhet më shumë me ADN-në sesa me punën dhe fatin