Kurti mirëpriti Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), Rosario Petta

Kurti mirëpriti Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), Rosario Petta

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mirëpriti sot në takim Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), Rosario Petta.

Duke i uruar mirëseardhje në Prishtinë, kryeministri Kurti shprehu interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit me komunitetin Arbëresh, veçanërisht në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore arbëreshe, si pjesë e rëndësishme e historisë sonë të përbashkët.

Në takim u theksua rëndësia e rritjes së shkëmbimeve kulturore dhe akademike, duke vlerësuar hapat pozitivë të ndërmarrë në vitet e fundit. Diskutuan edhe për mundësinë e bashkëpunimit përmes festivalit të filmit, me synimin që Kosova të prezantohet në Kalabri dhe Sicili përmes aktiviteteve artistike e kulturore.

Një prej temave të rëndësishme ishte edhe përfshirja e komunitetit Arbëresh në programin veror “Shijo Kosovën”, me qëllim fuqizimin e lidhjeve kulturore dhe njohjen më të mirë të Kosovës nga të rinjtë dhe familjet arbëreshe. Po ashtu, u theksua nevoja për të nxitur lidhje të reja ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe universiteteve të rajonit, me fokus në projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime akademike dhe mobilitet të studentëve. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur promovimin dhe mësimin e gjuhës arbëreshe, si një urë lidhëse dhe si pjesë e identitetit të përbashkët kombëtar dhe kulturor.

Të dy u pajtuan që në kuadër të këtij bashkëpunimi të ndërtohet një shtatore e Komandantit Legjendar, Adem Jashari në Bashkinë Hora e Arbëreshëve.