Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës për rivotim në Mitrovicë të Jugut, transmeton KosovaPost.
PDK u ankua ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të datës 14.11.2025, përmes së cilit u refuzua si e pabazuar ankesa me të cilën kjo parti kërkonte rivotim dhe pretendonte se kishte “tren bullgar” të vjedhjes së votave në Mitrovicë të Jugut.
“Pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e PDK-së, kjo e fundit, ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, duke kërkuar të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që brenda afatit të caktuar ligjor të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës, duke kryer rivotim në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse. Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së”, thuhet në vendim.
Njofitmi i plotë:
Kolegjet e Gjykatës Supreme kanë refuzuar si të pabazuara dy (2)ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa kanë pranuar si të bazuar një (1) ankesë.
Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.122/2025, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.439/2025, të datës 14.11.2025.
Pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e PDK-së, kjo e fundit, ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, duke kërkuar të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që brenda afatit të caktuar ligjor të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës, duke kryer rivotim në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse.
Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së.
Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi.
Në rastin e dytë me numër lënde AA.nr.121/2025, është refuzuar si e pabazuar ankesa e parashtruar nga Labinot Halilaj, kandidat për asamblist në Komunën e Gllogocit, nga Subjekti Politik Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin, (PDKRLL), paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.440/2025 të datës 14.11.2025.
Pasi PZAP kishte hedhur si të pas-afatshme ankesën e parashtruar nga Labinot Halilaj, ky i fundit, të paraqitur kundër ankesë në Gjykatë Supreme duke kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat për Kandidat për Kuvendin Komunal në Gllogoc.
Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, shqyrtoi shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar.
Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes, e pranon si të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së dhe konsideron se në rastin konkret juridik, nuk është bërë diskriminim dhe nuk është cenuar e drejta zgjedhore dhe ndonjë e drejtë themelore e paraparë me Ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në rastin e tretë, me numër lënde A.A.nr.120/2025, është pranuar si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi, nga subjekti politik: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.389-2/2025, të datës 14.11.2025 dhe çështja i kthehet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në rivendosje.
Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Avni Gashi, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që të urdhërohet PZAP të lejojë rinumërimin e votave dhe të obligohet KQZ që të bëjë verifikimin e materialit zgjedhor dhe të urdhërohet rinumërimi i votave në vendvotime të caktuara.
Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP, me rastin e shqyrtimit të ankesës së ankuesit, nuk ka vepruar sipas vërejtjeve dhe sugjerimeve të dhëna nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe nuk ka vepruar në pajtim me nenin 117 [Procedurat e PZAP-së] paragrafi 4 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku përcaktohet se: “PZAP-ja mund të urdhërojë rinumërimin e fletëvotimeve në një vendvotim apo qendër votimi, si dhe shqyrtimin e materialit votues si pjesë të hetimeve për ankesën e parashtruar.”
Për pasojë, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në rivendosje, PZAP, udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë udhëzimet e dhëna nga kjo gjykatë, pretendimet ankimore të ankuesit, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse që të sigurojë që mos të cenohet integriteti i procesit zgjedhor dhe secila votë të shkojë në destinimin e synuar dhe mos të ketë devijim të vullnetit të qytetarëve.



Të tjera
Vendimi i Supremes për Mitrovicën ndez reagimin e Pecit: “Ky vendim ka implikime të mëdha”
Debat i ashpër në politikë: Qarri akuzon opozitën për “tradhti shtetërore” dhe bllokim të buxhetit
Rivotimi i Mitrovicës mohohet nga Gjykata Supreme – reagime dhe polemika në skenën politike