Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë në mbledhjen e së enjtes me vendim të marrë nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sipas përbërjes aktuale, kuorumi për vendimmarrje në KPK është gjashtë anëtarë, ndërsa në mbledhjen e së enjtes, edhe pse ishin fillimisht dhjetë anëtarë në takim, gjatë takimit pesë prej tyre e kanë lëshuar takimin si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit, ndërsa vendimi për shkarkimin e UD Kryeprokurorit e morën pesë anëtarët e mbetur. Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, tha se për shkak të largimit të kundërligjshëm të anëtarëve të tjerë, takimi vazhdon.
UD Kryeprokurori Besim Kelmendi i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” tha se nga mediat është informuar për vendimin për shkarkimin e tij.
“Për besë, u informova nga mediat për shkarkimin tim. Është vendim arbitrar, vendim i kundërligjshëm sepse dihet fare mirë që KPK s’ka pas kuorum. Posa ta pranoj një vendim të tillë, natyrisht se do ta atakoj në gjykatë”, tha Kelmendi.
Në mbledhjen e së enjtes në KPK, kanë vazhduar akuzat e ndërsjella në mes të anëtarëve të KPK-së, ndërsa kërkesa e zëvendëskryetares së KPK-së, për shkarkimin e UD Kryeprokurorit Kelmendi, ka nxitur reagimin e pesë anëtarëve të KPK-së, të cilët e kanë lëshuar takimin përfshi Besim Kelmendin, Veton Shabanin, Arian Gashin, Visar Krasniqin dhe Dardan Vuniqi.
Ndërsa takimin pa kuorum e kanë vazhduar Kryesuesi Ardian Hajdaraj dhe anëtarët Jetish Maloku, Milot Krasniqi, Jehona Grantolli dhe Ariana Shajkovci.



Të tjera
5 trika psikologjikë që jua stërvisin trurin për të qenë inovativ
Ushqimet më të pasura me antioksidantë, të cilat ju ndihmojnë të bini nga pesha
Pirja e duhanit shkakton dhimbjen e shpinës