Kurti: Vullneti i popullit të përkthehet në institucione funksionale

Kurti: Vullneti i popullit të përkthehet në institucione funksionale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se posa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të qershorit, do të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit.

Kurti përsëriti se vendi nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, por se tashmë vullneti i popullit i shprehur në zgjedhje, duhet të përkthehet në institucione funksionale.

“Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale, demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore nga hekurudhat, te digat e jo vetëm”, tha ai në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Posa të certifikohet rezultati do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja. Konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit”, shtoi Kurti.

Kurti foli edhe për arrestimin e pesë ish-pjesëtarëve të policisë serbe për masakrën e Reçakut.

“Janë arrestuar 5 ish-pjesëtarë të policisë së Serbisë për masakrën e Reçakut. Përgëzojmë institucionet për arrestimin e tyre pas një hetimi 6 muajsh. Deri në vitin 2020, askush nuk është marrë për këtë. Kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekje të përgjegjësve”, tha tutje ai.

Sipas tij, nga mijëra lëndë të trashëguara nga UNMIK-u, asnjë nuk lidhej me masakrën e Reçakut, duke e cilësuar këtë si dështim të gjatë në ndjekjen e përgjegjësve. Kurti ka kërkuar intensifikim të hetimeve dhe gjykimeve për krimet e luftës.

“Derisa po i afrohemi tri dekadave të plota nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken e jo pak të tjerë kanë vdekur. Andaj, është e domosdoshme që hetimet dhe gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov e ritëm të shtuar. Si qeveri e Republikës, jemi gjithmonë të interesuar, të angazhuar dhe të përkushtuar të ndihmojmë në këtë drejtim”, tha Kurti.

I pari i ekzekutivit në fjalën e tij ngushëlloi edhe familjen e dy motrave nga Kamenica, të cilat ishin viktima të një aksidenti në Gjermani ditë më parë, si dhe familjen e Valmir Morinës, i cili humbi jetën në vendin e tij të punës në Prizren.

Ndërkohë, shefi i ekzekutivit e ka uruar Ditën e Komunitetit Egjiptian, duke vlerësuar kontributin e tyre në shoqërinë kosovare dhe duke ritheksuar përkushtimin institucional ndaj tyre.