Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka dorëzuar të hënën në Prokurorinë Speciale një padi kundër rregullatorit të energjisë në vend, Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke e akuzuar për disa shkelje, përfshirë “moszbatimin” e vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me tregun e lirë të energjisë.
OEK ka njoftuar në Facebook se i paditi kryesuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, si dhe anëtarët e bordit të saj.
OEK i akuzon ata për shkelje si “mosekzekutimin e vendimit gjyqësor, keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, shkeljen e detyrimit zyrtar, mashtrimin në detyrë, cenimin e interesit ekonomik publik”.
Ajo erdhi në përfundim se kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë, nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të parashikueshme.
Pas vendimit, OEK-i tha se i kërkoi rregullatorit të energjisë të fillojë ta zbatojë aktgjykimit e Supremes dhe t’i kthejë në furnizim me çmime të rregulluara bizneset e futura “me dhunë” në tregun e lirë.
“Dorëzimi i kallëzimit mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar”, tha OEK.
Muajin e kaluar, Gjykata Supreme i shfuqizoi dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se ato kishin krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike në vend.
Ndërkaq, për këtë vendim të Supremes, ZRRE më 18 nëntor, ka njoftuar se Zyra e Rregullatorit për Energji, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e tregut të lirë, duke thënë se bazuar në aktgjykim është hedhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.
Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin, përfshirë përmes protestave, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar.



Të tjera
Pse vendosa të dëshmoj për Thaçin në Hagë
6 shenja të qarta që jeni lodhur mendërisht
Kemi filluar sanimin e gropave në të gjitha rrugët e Kosovës