Në moshën 12-vjeçare, fëmijëria e tij u nda përgjysmë nga zjarri i luftës. Traumat e saj vazhdojnë ta përcjellin edhe sot e kësaj dite Esat Shalën nga Krajkova e Drenasit. Familja strehohej herë në Krajkovë, herë nëpër zona të ndryshme të Drenicës – terren i vështirë, i pasigurt, i mbushur me frikë.
Lufta i la plagë të thella në shpirt, teksa edhe sot e drithërojnë kur i kujton. Ofensiva e parë e shtatorit 1998 e gjeti fshatin të rrethuar. Forcat serbe hynë, vranë të pafajshëm, morën robë qindra njerëz. Edhe Esatin e kapën, të veshur me uniforma të falsifikuara të UÇK-së, e tërhoqën nga mali deri në shkollën e fshatit, ku filloi ndarja e tmerrshme: personat që ishin mbi 15 vjeç i çonin drejt fabrikës së Ferronikelit.
Ai në një rrëfim për dokumentarin Expose kujton se atë ditë do të ndodhte gjenocid, po të mos shkonte këmbësoria.
Shala është koleksionues i mijëra dëshmive të luftës që nga viti 2004, megjithatë është i zhgënjyer me shtetin për mos ndihmën ndaj tij në punën që e bën.
Pavarësisht kësaj, ai thotë se s’mund ta ndalë askush që të punojë drejt arritjes së qëllimeve të tij për drejtësi e për të dokumentuar luftën e forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Ne luftën e mbajmë mend mirë, kam qenë 12 vjeç dhe më shumë mbajnë mend fëmijët se të rriturit. Gjatë luftës kemi qëndruar në shtëpia në fshatin tim këtu në Krajkovë. Kur filloi lufta kemi qëndruar në pjesë të ndryshme të Drenicës pasi ka qenë terren i vështirë dhe jo i sigurt. Në ofensivën e parë të shtatorit në fshatin tim, forcat serbe kanë hyrë kanë vrarë shumë të pafajshëm, kanë zënë rob shumë njerëz, mua personalisht më zënë forcat serbe, që kanë qenë me uniformë të UCK-së dhe na kanë sjellë nga mali në shkollë të fshatit dhe na kanë ndarë veç e veç, kush ka qenë mbi 15 vjeç i kanë ndarë dhe i kanë dërguar në fabrikë të Ferronikelit. Por fati se hyri këmbësoria ku ishim të strehuar, sepse po të vonoheshin për 5 minuta, ne do të na vrisnin forcat serbe të gjithëve, do të na granatonin dhe besoj se do të kishte qenë një gjenocid shumë i madh sepse do të kishte shumë të vrarë”, ka nisur rrëfimin ai.
Historia e tij është histori e një familjeje të tërë të goditur nga represioni serb, me babanë e axhën të burgosur politik, e motrën të vrarë bashkë me të fejuarin e saj si dëshmorë lirie.
“Babanë e kam pasur të burgosur politik, axhën po ashtu, që ka qëndruar në burg me Adem Demaçin e Fehmi Lladrovcin. Në vitin 1990, 31 janar Sahit Shala djali i axhës së babait, 24 vjeç është vrarë në hekurudhë nga forcat serbe. 10 prill 1998 është zhdukur mjeku i parë i UCK, Hafir Shala, axha im është zhdukur. Më 14 djetor 1998 bie heroikisht motra ime bashkë me të fejuarin e saj, Hysen Bujupi nga Istogu, bashkë me Mujë Krasniqin dhe 38 dëshmorë të tjerë në Malet e Pashtrikut. Nga marsi 1999 ne kemi qëndruar në Malet e Berishës deri kur ka përfunduar lufta, në qershor. Edhe aty ka pasur shumë vështirësi për të mbijetuar sepse vazhdimisht ka pasur granatime, ku forcat serbe granatonin Radion Kosova e Lirë që në atë kohë jepte lajmet, por jo çdoherë mund ta granatonin atë dhe pësonte populli”, kujton Shala.
Nga marsi i vitit 1999, familja e tij u ngjit në Malet e Berishës – mes granatimeve të pandërprera, aty ku liria ishte vetëm një ëndërr. Në sytë e një fëmije që panë njerëz të masakruar, askush nuk besonte se një ditë Kosova do të ishte e lirë. Për të, liria nganjëherë edhe sot duket e pabesueshme, ndërsa thekson se është e dhimbshme se sakrifica e bërë për atë këtë liri po harrohet.
“Në atë kohë ka qenë ëndërr që një ditë do të jemi të lirë. S’kemi besuar asnjëherë se liria do të vie, edhe sot ndonjëherë e kam problem të besoj se jemi në liri, duke marrë parasysh vuajtjet që i kemi përjetuar në atë kohë. Kemi parë njerëz të vrarë të masakruar, kemi pasur trauma si fëmijë, e lëre më të mendohet se një ditë do të jemi të lirë, e aq më pak që sot është harruar ajo kohë dhe sakrificë që kemi përjetuar si popull, pasi sot pak kujt i intereson lufta që e kemi përjetuar gjithë populli i Kosovës”, ka thënë Esat Shala./Gazeta Blic/



Të tjera
Grindjet në familje ndikojnë në shëndet
Palestina mbetet busulla morale e kohës sonë, një provë e unitetit mysliman
Osmani takohet me Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, flasin për rritje të bashkëpunimit