Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Viti, ku ka shpalosur programin e saj zhvillimor në krye me kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Derisa u kërkoi mbështetjen banorëve të kësaj komune, Hamza premtoi projekte zhvillimore për Vitinë e komunat tjera si dhe zhvillim ekonomik që, sipas tij, do t`ia lehtësojë jetesën qytetarëve.
“Vitia ka ditur të besojë edhe kur ka qenë vështirë. Vitia e di rrugën përpara. Jemi bashkë me shpresë dhe përgjegjësi për të ardhmen që do ta ndërtojmë së bashku. Kosova ka nevojë për një kapitull të ri. Këtë kapitull do ta shkruajmë së bashku për Vitinë, Kosovën dhe të ardhmen. Ne besojmë në politika që krijojnë zhvillim, perspektivë. Asnjë vend nuk ecë përpara kur politika shndërrohet në fushëbetejë. Tani është koha për bashkim. Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli, por dinjitet dhe një ekonomi që ua lehtëson jetën. Këtë e ofron programi ynë”, tha Hamza.
Kandidati i PDK-së për kryeministër tha se do ta anulojnë Ligjin e Tatimit në Pronë, pasi, sipas tij, përveç shtrenjtimit të energjisë elektrike, e që tha se e ka ngarkuar koston e jetesës, tatimi në pronë do të jetë një barrë shumë e madhe.
Tutje Hamza tha se me të në krye të ekzekutivit, pagat do të ngritën për 50 për qind, si dhe do të krijohet fondi për ata që humbasin vendet e punës.
“Do të ketë edhe financime duke krijuar edhe tregun e kapitalit. Sa i përket të punësuarve në sektorin privat, sepse sektori privat është kontribuesi më i madh në rritjen ekonomike, kemi paraparë fondin që njerëzit, kur humbin vendin e punës, ta kenë përkrahjen e shtetit: 80 për qind të pagës së punës për 6 muaj. Ne do t’i ulim normat e tatimit në të ardhurat individuale, të ardhurat deri në 400 euro nuk do të tatohen. Do t’i rrisim edhe pagat për 50 për qind, si për profesorë ashtu edhe për mjekë, policë, ushtarë dhe zjarrfikës. Këtë do ta bëjmë në fillim të mandatit”, ka deklaruar Hamza.
Nga dega e PDK-së në Viti kërkuan po ashtu mbështetje për kandidatin e vetëm nga kjo komunë në listën për deputetë të kësaj partie./rtk



Të tjera
Boronicat ulin rrezikun për sëmundje të zemrës deri në 20%
Dëmtimi i nervave, 8 shenjat që nuk duhen neglizhuar
Njohja e Kosovës nga Bahamet, një moment historik