Nga Prof. Hysamedin Feraj
Sa duhet që një djalë të jetë i ngjashëm në karakter me një tjetër, sa t’ia lehtësojë një nëne mallin për të birin që i mungon? Kjo nuk është pyetje politike, por njerëzore, morale dhe thellësisht kombëtare.
Nëna e heroit Afrim Zhitia, një grua që e ka njohur nga afër sakrificën më të madhe, e ndien këtë lehtësim tek Albin Kurti. Jo si zëvendësim, por si vazhdimësi. Jo si figurë partiake, por si bartës i një ideali që nuk vdes me trupin, por jeton me karakterin.
A ekziston ndokush që ndien, njeh dhe intuiton më mirë se nëna të birin e saj – luftëtarin, dëshmorin, idealistin për liri e pavarësi? Nëna nuk analizon programe politike, as sondazhe, as retorikë. Ajo ndien njeriun. Ndien qëndrueshmërinë. Ndien sinqeritetin dhe përkushtimin.
Në një rrëfim të thjeshtë, por tejet domethënës, nëna e dëshmorit shprehet: “Zot, ma ruaj atë djalë”, duke iu referuar Albin Kurtit. E pyetur se për kë bëhej fjalë, ajo përgjigjet pa hezitim: “Për Albinin”. Dhe shton se ai “ka një nur dhe një dije” që ia zbut mallin për të birin.
Kjo lutje nuk është personale. Ajo është politike në kuptimin më fisnik të fjalës: lutje për Kosovën, për drejtësinë, për përmbushjen e idealit për të cilin u flijua Afrim Zhitia dhe mijëra të tjerë. Nëna sheh aty vazhdimësinë e një rruge, jo devijimin e saj.
Kjo ndjenjë nuk është e izoluar. Shumë nëna dëshmorësh e heronjsh e ndajnë të njëjtin intuitë: se idealet nuk ruhen me fjalë, por me karakter; jo me kompromis, por me qëndresë.
Në fund, ndoshta pyetja nuk është nëse Albin Kurti u ngjan dëshmorëve, por nëse ne, si shoqëri, jemi të gatshëm të ecim në rrugën që ata lanë pas. Nënat e dëshmorëve e kanë bërë zgjedhjen e tyre morale. A do ta bëjmë edhe ne?



Të tjera
Si mund ta shfrytëzojë Kosova momentin gjeopolitik për t’u afruar me NATO-n?
Izraeli miraton vendbanimet e reja në Bregun Perëndimor
Higjiena e tepërt e dëmshme për fëmijët