Kurti: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucioni më sipëror, ku nuk ka mendim që nuk mund të thuhet dhe nuk ka debat që nuk mund të zhvillohet

Investimi në arsim, investim në të ardhmen e Kosovës

Në prezantimin e Bursës së Mobilitetit para studentëve përfitues, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo skemë është e bazuar në nevojën dhe e dizajnuar në parimin e drejtësisë sociale, sepse, siç tha ai, distanca gjeografike e gjendja ekonomike nuk duhet të jenë pengesë për arsimin cilësor.

 

“Nuk jemi duke folur vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por edhe për një vizion më të gjerë, atë për një Republikë ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Me Bursën e Mobilitetit për studentët, qeveria jonë po adreson një sfidë reale me të cilën janë përballur shumë studentë ndër vite, e kjo është kostoja e udhëtimi drejt universitetit”, deklaroi kreu në detyrë i qeverisë.

Sipas tij, shumë familje shpenzimet e përditshme të transportit i kanë barrë të rëndë, prandaj, tha se, kjo bursë nuk është veçse përkrahje financiare, por mesazh i qartë se shteti është në anën e tyre, dhe se investimi në arsim është investim në të ardhmen e Kosovës.

Kurti tha se kjo nuk është masa e vetme, derisa shtoi se kishin mbështetur studentët para fillimit të vitit akademik me nga 100 euro.

“Një hap tjetër i rëndësishëm është arsimi universitar publik pa pagesë, sepse ne besojmë që arsimi i lartë nuk është privilegj, por është një e drejtë, e nga kjo kanë përfituar afër 200 mijë studentë”, shtoi ai.

Kreu qeveritar tha se studentët janë pasuria e vendit. “Investim në ju, është investim në zhvillim ekonomik dhe në drejtësi sociale. Kosova ka nevojë për energjinë, dijen dhe vizionin tuaj”, u tha studentëve ai.

Kurti tha se gjatë mandatit qeverisës ndanë afër 18 mijë bursa me një buxhet përreth 20 milion euro. “Dhe në vijim do ta dyfishojmë buxhetin për bursa. Nuk ka kategori shoqërore që mund të tregojë se nga po shkon zhvillimi socio-ekonomik e kulturor i një vendi, sikurse ajo e studentëve të universitetit. Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë përherë pranë jush”, tha kryeministri në detyrë.

Ndryshe, ditë më parë, Qeveria në detyrë e Kosovës kishte ndarë 1.65 milionë euro për grupin e parë prej 10 mijë studentësh përfitues, në kuadër të Programit të Bursës së Mobilitetit për Studentë.

Vlera e bursave ndryshon varësisht nga distanca midis vendit ku jetojnë studentët dhe vendit ku studiojnë.