Sheshi “Isa Boletini” shndërrohet në qendër festive për fundvit

Sheshi “Isa Boletini” shndërrohet në qendër festive për fundvit

Sheshi “Isa Boletini” po kthehet në qendër të festave të fundvitit me shtëpizat e gastronomisë dhe aktivitetet për festat, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka ndarë 30 mijë euro për organizimin e programit festiv dhe mbështetjen e këtij projekti.

Në kuadër të projektit “Mitrovica Feston”, i cili mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, parashihet të organizohen një sërë aktivitetesh në këtë komunë.

Arbër Hajra nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ka thënë për kp  se nga kjo drejtori janë ndarë 30.000 euro për organizimin e aktiviteteve festive.

“Komuna e Mitrovicës, DKRS-Sektori i kulturës i ka ndarë 30 mijë euro për organizimin e muajit të mërgatës gjatë verës dhe kremtimin e festave të fundvitit. Me këtë shumë është realizuar dekorimi i sheshit, pagesa e performuesve dhe aseteve të nevojshme për organizim“, tha Hajra.

Sipas tij, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, kriteri për shfrytëzimin e shtëpizave ka qenë që aplikuesit të jenë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).