Nuk iu ndal policisë, ndalet 18-vjeçari me marihuanë në bagazh

Nuk iu ndal policisë, ndalet 18-vjeçari me marihuanë në bagazh

Një i ri 18-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës në Shtërpcë, pasi gjatë kontrollit të një automjeti janë gjetur dhe sekuestruar disa cigare me substancë të dyshuar narkotike.

 

Rasti ka ndodhur më 26 dhjetor 2025, rreth orës 21:30, në fshatin Drajkovc, ku një automjet i tipit Audi Q8 me targa vendore nuk është ndalur për kontroll nga patrulla policore dhe ka vazhduar lëvizjen.

Pas asistimit nga një patrullë tjetër, automjeti është ndalur në qendër të Shtërpcës, ku policia ka kryer kontrollin e automjetit dhe personave që ndodheshin në të.

Në automjet ndodheshin katër persona, ndërsa i dyshuari ka pranuar se substanca narkotike e sekuestruar i përkiste atij.

Lidhur me rastin është njoftuar Njësia Anti-Drogë dhe prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore, përfshirë intervistimin e të dyshuarit në prani të avokatit sipas detyrës zyrtare.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa tre personat e tjerë janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të paligjshme dhe u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë në 192 ose përmes platformës “Lajmëro Policinë”.

The post Nuk iu ndal policisë, ndalet 18-vjeçari me marihuanë në bagazh appeared first on Kosovapost.net.