Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot në vend janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prokuroria tutje njofton se prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.



Të tjera
Si të silleni me një narcist, 10 këshilla
Policia nuk lejon hyrjen e veturave nga Serbia në Kosovë përmes pikës zero në Bërnjak
Nga akt paturpësie i shtetit shqiptar si puthador i Izraelit