Pula: Një person ndalohet për fotografim të votës në Fushë-Kosovë, por lirohet pas intervistimit

Një person ndalohet për fotografim të votës në Fushë-Kosovë, por lirohet pas intervistimit

Prokurorja Laura Pula ka bërë të ditur se një person në Komunën e Fushë-Kosovës është ndaluar dhe intervistuar lidhur me fotografimin e votës, por më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Në një lidhje direkte për Televizionin Tëvë1, Pula tha se pas intervistimit është vërtetuar se i dyshuari nuk ka pasur ndonjë qëllim të caktuar apo kërcënim ndaj dikujt.

“Është raportuar një rast i fotografimit të votës në Komunën e Fushë-Kosovës. Personi që e ka bërë është ndaluar dhe intervistuar dhe, meqenëse nuk ka pasur ndonjë qëllim të caktuar dhe nuk ka qenë i kërcënuar nga askush, ai është liruar në procedurë të rregullt,” tha Pula.

Ajo shtoi se çdo incident që raportohet apo evidentohet do të trajtohet me prioritet dhe vëmendje të veçantë.

Sipas saj, procesi i votimit po shkon shumë mirë dhe nuk ka arsye për shqetësim.

Sa i përket votimit në grup të qytetarëve serbë në veri të vendit, Pula njoftoi se rasti është duke u hetuar dhe gjatë ditës do të merret vendim mbi veprimet e nevojshme.

Ajo theksoi se autoritetet përkatëse, përfshirë KQZ-në dhe menaxherët e qendrave të votimit, janë të obliguar të raportojnë çdo parregullsi në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit.