Rama: Është koha për një armëpushim në Gaza i cili duhet lidhur me lirimin e pengjeve

Rruga drejt BE-së është e pakthyeshme, më e mira është përpara

Shqipëria përmbylli një vit të rëndësishëm, plot suksese e sfida, që nisin nga çelja e grup-kapitujve të integrimit evropian dhe përgatitjet për mikpritjen e Samitit të NATO-s në vitin 2027, e deri tek transformimet në infrastrukturë e shërbime. Kryeministri ia njeh meritën mbështetjes së shqiptarëve, të cilët i besuan mazhorancës 83 mandate.

“Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush, në Shqipëri, Evropë e gjetkë nëpër botë, e bekoi përpjekjen e përbashkët të dekadës së fundit, duke i dhënë qeverisë sonë fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve. Faleminderit edhe njëherë nga unë sot, për atë fuqi me të cilën, falë jush, unë dhe të zgjedhurit tuaj do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Evropian,” tha kryeministri.

Rama thotë se transformimi nuk është meritë e kohës, por e qeverisjes, duke iu përgjigjur kështu opozitës.

“Të gjithë këtë transformim, që vazhdon e do të vazhdojë pa ndalim, me kantiere të hapura e projekte të reja drejt ‘Shqipërisë 2030’ në Bashkimin Evropian, nuk e solli koha siç thonë disa; nuk e sollën as alienët apo bandat, siç bërtasin disa të fantaksur të tjerë. Po e solli forca jonë qeverisëse, besimi juaj tek ne dhe besimi ynë i përbashkët tek Shqipëria. E solli puna pa orar e mijëra e mijëra njerëzve, e ministrisë, agjencive shtetërore dhe kompanive private; përpjekja e madhe në shumë fronte të betejës për Shqipërinë Evropiane, ku të metat, dobësitë, gabimet apo edhe rrëshqitjet ose mëkatet e disave brenda nesh, nuk e zvogëlojnë dot kurrsesi përmasën historike të një transformimi të tillë,” tha Rama në mesazhin e tij.

Një vlerësim të posaçëm kryeministri adresoi për 1 mijë ekspertët që punojnë për integrimin evropian.

“Dekada e fundit ka qenë për Shqipërinë dhe shqiptarët një kohë me një shpejtësi të re shqiptare, një përpjekje e madhe për të fituar kohën e humbur të një tranzicioni të çartur përplasjesh me muret e prapambetjes, një projekt kombëtar reformash transformuese për të hapur rrugën e të vërtetës sonë si popull evropian, që meriton të ulet në sofrën e përbashkët evropiane,” tha kreu i qeverisë.

Me urimin për një vit më të mbarë, kryeministri Rama thotë se më e mira është e gjitha përpara.

“Ky është momenti për mua që t’ju siguroj se kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush dhe se më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët; që t’ju garantoj se viti i ardhshëm e ata pas tij, do të sjellin edhe më shumë frute sesa ka sjellë deri më sot puna dhe t’ju uroj gëzuar, kudo ku jeni, me këdo që keni pranë, e me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë. Gëzuar!” uroi kryeministri.

Mesazh i plotë i Kryeministrit Edi Rama drejtuar qytetarëve në vigjilje të ndërrimit të viteve

Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, kudo ku jeni,

Ja edhe një vit tjetër mbërriti tek dera për të dalë, duke e lënë Shqipërinë më lart, se në ditën kur hyri.

Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush, në Shqipëri, Europë, gjetkë nëpër botë, e bekoi përpjekjen e përbashkët të dekadës së fundit, duke i dhënë qeverisë sonë, fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve.

Faleminderit edhe njëherë nga unë sot, për atë fuqi me të cilën falë jush, unë dhe të zgjedhurit tuaj do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar, në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian.

Në një dekadë kemi bërë çfarë nuk imagjinohej kur nisi numërimi i viteve tona në qeverisje.

Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike, nga Parisi në Ankara, dhe nga Kievi në Londër për të diskutuar të nesërmen e kontinentit tonë.

Një Shqipëri tjetër, ku për 18 muaj do të mblidhen të gjithë udhëheqësit e NATO-s, për Samitin vjetor të Aleancës, që plot vende të tjera, të cilat kanë hyrë në NATO, kohë përpara nesh, ende s’e kanë patur privilegjin ta mikpresin.

Një Shqipëri tjetër, e cila ndryshe nga jo shumë vite më parë, nuk ia ul më kokën asnjë shqiptari kur del jashtë kufijve të saj, prej ku tanimë vërshojnë drejt këtij vendi miliona e miliona turistë./rtsh.al