Avdullah Hoti ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ku ndonëse LDK-ja doli e treta, ai pati një rezultat më të mirë personal.
“Ky besim, më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025, nuk është vetëm mbështetje personale – është obligim për tu angazhuar krahas gjithë kolegëve të LDK-së në fuqizimin dhe ringritjen e shtëpisë tonë politike”, deklaroi Hoti në Facebook.
“Ky besim dëshmon se anëtarësia dhe elektorati i LDK-së kërkojnë forcim të vlerave themeltare mbi të cilat kjo parti është ndërtuar: demokracinë e brendshme, guximin politik, vizionin shtetformues dhe orientimin e palëkundur euro-atlantik. Këto vlera nuk janë kujtim i së kaluarës – ato janë domosdoshmëri për të ardhmen dhe për kthimin e LDK-së në vendin që i takon: në ballë të proceseve demokratike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës”.
“Me përulësi ndaj besimit që më keni dhënë dhe me vendosmëri për të ardhmen, unë do të vazhdoj, krahas kolegëve të mi të shumtë, të jem në shërbim të LDK-së për fuqizim të demokracisë, shtetësisë dhe zhvillimit e integrimit euro-atlantik të Republikës të Kosovës”.
“Jam i bindur se kur LDK-ja është e bashkuar dhe e udhëhequr me vizion, ajo di të ringrihet, t’i shërbejë vendit dhe bashkë me të, të fitojë”.



Të tjera
Rezultatet përfundimtare do të shpallen para 19 janarit
Presioni për të qenë i bukur në Kore të Jugut
Ndërhyrja e SHBA-ve në Venezuelë është e ligjshme