Të paktën 40 persona, përfshirë civilë dhe ushtarë, u vranë gjatë një sulmi ushtarak amerikan në Venezuelë me synim “rrëmbimin” e presidentit Nicolás Maduro, sipas një raporti të publikuar nga New York Times.
Duke cituar një zyrtar të lartë venezuelian, i cili foli në kushte anonimiteti, raporti thekson se “të paktën 40 persona, mes tyre civilë dhe ushtarë, u vranë gjatë sulmit”.
Zyrtarë amerikanë i thanë gazetës se operacioni përfshinte një fushatë ajrore në shkallë të gjerë, me qëllim neutralizimin e mbrojtjes ajrore të Venezuelës përpara dislokimit të forcave tokësore.
“Sipas zyrtarëve amerikanë, më shumë se 150 avionë ushtarakë të ShBA-së u angazhuan për ta shkatërruar mbrojtjen ajrore, në mënyrë që helikopterët ushtarakë të mund të sillnin trupa që sulmuan pozicionin e Madurros”, thuhet në raport.
Nuk pati konfirmim të menjëhershëm publik nga Shtëpia e Bardhë apo Pentagoni lidhur me numrin e viktimave apo shtrirjen e plotë të operacionit.
Forcat amerikane kapën presidentin Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, dhe i nxorën ata nga Venezuela herët të shtunën, në atë që presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi si një operacion dramatik gjatë natës.
Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do ta administrojnë Venezuelën derisa të sigurohet një “tranzicion i sigurt, i duhur dhe i matur”.
Ndërkohë, prokurorët federalë në Distriktin Jugor të Nju Jorkut publikuan të shtunën herët një aktakuzë, duke e akuzuar Maduron dhe Floresin për trafikim të “tonave kokainë” drejt Shteteve të Bashkuara, si dhe për krime të tjera të pretenduara.
Kritikët kanë paralajmëruar se këto sulme shkelin të drejtën ndërkombëtare, anashkalojnë Kongresin amerikan dhe rrezikojnë të nxisin paqëndrueshmëri të mëtejshme në Venezuelë dhe në rajon.



Të tjera
Së shpejti në kryeqytet realizohet një mozaik kushtuar Nënë Terezës
Delegacioni i BIK-ut pritet në takim nga kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani
Përfitimet që i sjell gjidhënia te nëna dhe bebja