KMShK kërkon verifikim dhe kujdes nga përmbajtjet e gjeneruar me AI

KMShK kërkon verifikim dhe kujdes nga përmbajtjet e gjeneruar me AI

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar lidhur me raportimet e publikuara në disa media për një të ashtuquajtur “fantazmë” që pretendohet se po shëtitet nëpër rrugët e Kosovës, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe jo të verifikuara.

Sipas KMShK-së, përmbajtjet në fjalë janë të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale (AI) dhe nuk bazohen në fakte reale. Institucioni ka bërë të ditur se ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me këto publikime, të cilat kanë shkaktuar konfuzion dhe shqetësim në opinion.

KMShK u bën thirrje mediave që të tregojnë kujdes të shtuar në raportim dhe të verifikojnë çdo përmbajtje para publikimit, veçanërisht ato që mund të shkaktojnë panik ose dezinformim te publiku.

Në reagimin e tij, Këshilli thekson se raportimet duhet të jenë të sakta, profesionale dhe në përputhje me Kodin e Etikës së Gazetarisë, duke shmangur shpërndarjen e materialeve të pavërtetuara apo të manipuluara nga teknologjitë e reja.

“Përgjegjësia mediatike është thelbësore për informimin korrekt të qytetarëve dhe ruajtjen e besimit të publikut”, thuhet në reagimin e KMShK-së.