Stafet e Administratës Tatimore të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës zhvilluan një takim të përbashkët pune, ku u diskutuan çështje kyçe që lidhen me modernizimin e administrimit tatimor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.
Gjatë takimit, vëmendja u përqendrua në tema si fiskalizimi, proceset e digjitalizimit, vlerësimi i riskut, hetimi tatimor, si dhe masat për luftën kundër evazionit fiskal.
Palët shkëmbyen përvoja dhe praktika më të mira të zbatuara në administratat përkatëse, me synimin për të rritur eficiencën e kontrolleve dhe përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve.
Përfaqësuesit e të dy administratave theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të koordinuar, veçanërisht në kushtet e zhvillimeve të shpejta teknologjike dhe nevojës për përshtatje me standardet më të mira ndërkombëtare në fushën fiskale.
Ky shkëmbim praktikash dhe përvojash synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale, garantimin e qëndrueshmërisë në mirëadministrimin tatimor dhe rritjen e transparencës.
Njëkohësisht, bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në fushën tatimore vlerësohet si një element i rëndësishëm në përmbushjen e objektivit madhor të qeverisë shqiptare për integrimin europian, si dhe në harmonizimin e politikave dhe procedurave fiskale me standardet e Bashkimit Europian.
Takimi u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe vijimit të reformave që synojnë një administratë tatimore moderne, efikase dhe të besueshme.



Të tjera
KQZ vendos të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit
Këto janë 10 komunat që do të bëhet rinumërimi i plotë i votave
Kroacia rikthen shërbimin ushtarak pas 17 vjetësh