Presidenti i Polonisë: Trump, i vetmi lider që mund ta ndalojë Putinin

Trump, i vetmi lider që mund ta ndalojë Putinin

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka deklaruar të mërkurën se Donald Trump është i vetmi lider botëror që mund ta ndalë Vladimir Putinin nga kërcënimi ndaj Evropës.

Në një intervistë për programin Today të Radio 4, Nawrocki ka theksuar se Rusisë nuk duhet t’i besohet, por se vendet evropiane duhet të bëjnë gjithçka për të mbështetur përpjekjet e presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

I njohur për qëndrimin e tij pro-Trump, presidenti polak ka deklaruar se, përballë kërcënimeve ruse ndaj Polonisë dhe Evropës Qendrore e Lindore, Trumpi është “i vetmi që mund ta zgjidhë këtë problem” dhe të sjellë fundin e konfliktit në Ukrainë.

Duke kujtuar inkursionin e madh të shtatorit të kaluar, kur mbi 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake nga Bjellorusia dhe Ukraina, Nawrocki e ka përshkruar ngjarjen si “të jashtëzakonshme”. Ai ka shtuar se deri atëherë asnjë vend anëtar i NATO-s nuk ishte përballur me një sulm me dronë të asaj përmase.

Sipas tij, Rusia po teston kapacitetet mbrojtëse të Polonisë dhe unitetin e NATO-s.

I pyetur për raportet e tij të ngushta me Trumpin, veçanërisht pas deklaratave të presidentit amerikan për marrjen “me çdo mjet” të Grenlandës – deklarata që kanë shkaktuar shqetësim në Evropë dhe kanë vënë në pikëpyetje kohezionin e aleancës 77-vjeçare të NATO-s – Nawrocki ka insistuar se SHBA-ja mbetet garantuesja kryesore e sigurisë evropiane.

“Ajo që Donald Trump po bën në interes të evropianëve meriton mbështetje dhe respekt të madh”, ka përfunduar ai.