Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që tha se Serbia nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian sepse ata vijnë në Beograd “të paftuar”.
Picula për televizionin “Nova” ka thënë se nuk është e vërtetë që delegacioni i Parlamentit Evropian po vjen paparalajmërim dhe se Ambasada e Serbisë në Bruksel ishte e informuar dhe se në programin ka punuar delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd.
“Mendoj se kjo është një mundësi e humbur e atyre më përgjegjësve në Serbi në një fazë kaq të rëndësishme të këtij procesi, ku do të duhej të dëgjonin se çfarë mendojmë ne për shtetin kandidat”, ka thënë Picula.
Më tutje, ai ka folur për arsyet pse kjo vizitë është e rëndësishme në sytë e Evropës.
“Ne duam ta bëjmë punën tonë në mënyrë korrekte; shumë gjëra mund të mësohen nga raporte të ndryshme, por mendoj se biseda e drejtpërdrejtë nuk mund të zëvendësohet me asgjë, veçanërisht kur bëhet fjalë për eurodeputetët”, ka thënë ai.
Në pyetjen nëse Bashkimi Evropian sot kërkon më shumë nga Serbia sesa nga kandidatët e tjerë, ai përgjigjet se nuk mund të flitet për një qasje jo të drejtë të BE-së ndaj shtetit kandidat.
“E vetmja gjë që ka ndryshuar vitet e fundit është metodologjia e negociatave të anëtarësimit, por edhe rrethanat gjeopolitike. Për të parën Serbia ka rënë dakord, ndërsa për të dytën do të thosha se ka një qëndrim që mund të quhet injorim, sepse nuk është e mundur të pritet përparim në negociata dhe, në të njëjtën kohë, të refuzohen disa elemente kyçe të politikës së përbashkët evropiane të jashtme dhe të sigurisë, ose të mbahen marrëdhënie të rregullta me shtete që luftojnë me fqinjët, ose të neglizhohen reformat e sistemit zgjedhor apo të ngushtohen liritë e medias. Pra, nuk mund të flitet se bëhet fjalë për ndonjë marrëdhënie jo të drejtë ndaj shtetit kandidat, por për pritshmëri ndaj të cilave Serbia ka rënë dakord”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se për të kjo mospërballje, përkatësisht shmangia e bisedës, nuk është një situatë e re.
“Kjo është një situatë e re për shumicën e kolegëve të mi që do të jenë me mua në këtë delegacion. Unë edhe më herët jam përballur me këtë lloj bojkoti, por këtë herë kjo porosi ka një peshë shtesë, sepse bëhet fjalë për refuzimin e bisedës me përfaqësuesit e Partisë Popullore Evropiane, pjesë e së cilës është në një mënyrë edhe partia në pushtet në Serbi. Pra, kjo është një porosi edhe për ta, nëse udhëheqja e strukturës qeverisëse serbe e sheh veten në një asociacion që nuk është pa ndikim në Bashkimin Evropian; kjo është një porosi shumë më tepër për ta sesa për mua“, ka thënë ai.
Kujtojmë se edhe kryekuvendarja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se delegacioni i Parlamentit Evropian po vjen pa ftesë dhe se ajo nuk do të takohet me ta, pasi në atë kohë do të jetë në Estoni.
Misioni i Parlamentit Evropian do të jetë në Beograd nga 22 deri më 24 janar, ndërsa Vuçiqi do të qëndrojë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.



Të tjera
Arsyet pse jeni të lodhur gjithë kohën
Asllani e do vetëm Serinë A, i refuzon La Ligan e Ligue 1
Pesë ushqimet që ju ndihmojnë të flini më qetë