IPK: Pretendimet për keqtrajtim nga policia në Leposaviq rezultuan të rreme, iniciohet hetim penal ndaj ankuesit

Pretendimet për keqtrajtim nga policia në Leposaviq rezultuan të rreme, iniciohet hetim penal ndaj ankuesit

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përfunduar hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, duke konstatuar se ato kanë qenë të pabazuara.

Sipas njoftimit zyrtar të IPK-së, rasti është raportuar para mesnatës së 13 janarit 2026, kur Policia e Kosovës ka informuar IPK-në për një ankues i cili pretendonte se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë gjatë një ndalese në pikë kontrolli tek Ura e Bistricës në Leposaviq, rreth orës 22:00.

Ankuesi kishte deklaruar se ishte ndaluar nga policia derisa po drejtonte një automjet Audi A4 me targa të Republikës së Serbisë, në të cilin ndodheshin edhe dy pasagjerë. Ai kishte pretenduar se gjatë kontrollit ishte goditur nga zyrtarët policorë, duke pësuar lëndime në qafë, bërrylin e majtë, dorën e djathtë dhe këmbë, si dhe se njëri nga zyrtarët policorë kishte goditur me kondak arme një pasagjer tjetër.

IPK bën të ditur se hetimet janë zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Ankuesi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit të tij, ndërsa hetuesit kanë siguruar edhe prova materiale, përfshirë video-incizime nga kamerat e sigurisë që mbulojnë vendin e ngjarjes.

Pas analizimit të provave dhe pamjeve filmike, IPK ka konstatuar se video-incizimet nuk i mbështesnin pretendimet e ankuesit dhe se zyrtarët policorë nuk kishin tejkaluar autorizimet ligjore, as nuk kishin përdorur forcë.

Sipas IPK-së, nga analiza e provave është vlerësuar se pretendimet kanë qenë të sajuara. Bazuar në këtë, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që ndaj ankuesit, tani i dyshuar, të iniciohet rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

IPK thekson se mbetet e përkushtuar në trajtimin serioz të çdo ankese ndaj policisë, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e drejtësisë.