Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar sollën rezultatin e dytë më të keq për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Kjo ndikoi menjëherë në përplasje të brendshme në këtë parti, ku disa i dolën në mbrojtje të kryetarit Lumir Abdixhiku, e disa të tjerë i kërkuan dorëheqje të menjëhershme.
E për këtë temë, më saktë për zhvillimet e fundit në LDK, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Fillimisht, ai kritikoi ashpër kryetarin Abdixhiku, derisa vlerëson se po vazhdon me qëndrime dhe sjellje që po dëmtojnë LDK-në.
“Se Lumir Abdixhiku, edhe më tutje, po i ngelë besnik sjelljeve dhe veprimeve destruktive në dëm të LDK-së, vërteton deklarata e tij e papërgjegjshme, dite më parë, kur tha se LDK-ja nuk do të mbështetë asnjë kandidat për president/e, pa marrëveshje politike, konsezus të gjërë mes partive politike. Faktikisht me këtë deklaratë, ai po paralajmëron krizën e ardhshme institucionale, sepse me dështimin e zgjedhjes së presidentit/es, vendi me automatizëm shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mirëpo Abdixhiku po harron se, as në Kushtetutë, e as në Ligj nuk parashihet që presidenti i vendit zgjidhet me konsezus ndërpartiak, mbase procedurat për këtë janë shumë të qarta në Kushtetutë.
Është skajshmërisht e papranueshme, që Abdixhiku, ende pa u zgjuar dhe këndellur mirë nga agonia e disfatës elektorale e 28 Dhjetorit 2025, që LDK-në e tkurri në 13%, madje ende pa u çertifikuar rezultatet nga KQZ-ja, pa u konstituar Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës, dhe pa u formuar Qeveria, ai gjenë forcën dhe arrogancën, t’a shantazhojë sovranin, se si duhet të zgjidhet presidenti/ja”, deklaroi ai.
Sipas Musliu, nuk është e kuptueshme urrejtja e Abdixhikut ndaj presidentes, derisa nënvizoi faktin se pas përçarjes dhe largimit të Osmanit, Pecit, Gërvallës e disa të tjerëve LDK pësoi rënie të madhe elektorale.
“Është e pakuptueshme dhe infantile, kjo urrejtje e Abdixhiku ndaj ish bashkëpartiakës së tij, Zonjës Osmani, e cila paralajmëroi se është e interesuar edhe për një mandat të dytë në postin e presidentes, që ndër vite dha një konribut të çmuar për LDK-ën, derisa mentori i Abdixhikut, Isa Mustafa e largoi nga LDK-ja. Zatën, një nga shkaqet e rënda të dobësimit të LDK-së, përveç tjerash, ishte largimi i rugovistëve sikur Vjosa Osmani, Donika Gërvalla, Faton Peci, Haxhi Abdyli, dhe jo vetëm.
Madje, ai beson se duhet të fillohen reforma serioze brenda kësaj parti, pasi nëse nuk bëhet një gjë e tillë LDK do humbë komplet ndikimin në skenën politike në Kosovë.
“Refuzimi arrogant i Lumir Abdixhikut dhe klanit të tij, koalicionin me LVV-në, i ka kushtuar shumë LDK-së, sepse sikur të ishte bërë një koalicion të tillë, sot LDK-ja do të ishte në bashkëqeverisje me LVV-në, dhe vendi nuk do të shkonte në zgjedhjet e parakohshme të panevojshme të 28 Dhjatorit 2025. Fatkeqësisht Abdixhiku dhe klani i tij nuk u truguan në nivelin e sfidave dhe përgjegjësive shtetërore, që dikur ishte karakteristike e LDK-së rugoviane.
Në vazhdim, ai komentoi edhe ‘dramën’ që po bëhet me dorëheqjen e Abdixhikut, derisa beson se ky i fundit po i ikë përgjegjësisë së tij.
Ndonëse, juristi shtoi se presioni është shtuar ndja kryetarit të LDK-së, pas dorëheqjeve të Bajramit, Hotit e reagimeve të disa zyrtarëve të partisë.
“Edhe pse Abdixhiku paralajmëroi dorëheqje për Kuvendin e ardhshëm të LDK-së, mendoj se kjo nuk është e sinqertë, madje është vetëm një manovër për t’iu shmangur dorëheqjes së vërtetë. Kjo nga fakti se Abdixhiku, po ashtu, ka deklaruar se, nëqoftëse Kuvendi nuk e pranon dorëheqjen e tij, atëherë ai do të detyrohet të qëndrojë edhe më tutje në pozitën e kryetarit. Prandaj ai duhet të ofrojë dorëheqje të parevokueshme, të cilën Kuvendi i LDK-së, vetëm do t’a konstatojë, e jo t’a votojë.
Në fund, Musliu foli edhe për akuzat e Abdxhikut, ku tha se, “…kur anëtarësia e LDK-së, gjithnjë e më tepër po kërkon përgjegjësi nga Lumir Abdixhiku, ai po i akuzon kundërshtarët e brendshëm partiak, duke pretenduar se ata po e kërkojnë eliminimin e tij, që nuk qëndron, sepse bashkëpartiakët po kërkojnë dorëheqje të parevokueshme, e jo fiktive, dhe largimin e Abdixhikut bashkë me klanin e tij nga organet drejtuese dhe vendimmarrëse të LDK-së”.



Të tjera
Dallaveret me numërim, kaq vjet burg mund të dënohet një anëtar i Komisionit Zgjedhor!
Vlerat e rralla të manaferrës dhe boronicës
Trump paralajmëroi tarifa për Evropën, reagon Presidenti Macron