Portieri i Curacaos, Eloy Room, ishte figura kryesore e ndeshjes ndaj Ekuadorit, duke realizuar një paraqitje historike që i siguroi ekipit të tij një barazim të vlefshëm 0:0 në Kupën e Botës.
Gardiani 36-vjeçar ishte i pakalueshëm gjatë gjithë takimit, teksa neutralizoi vazhdimisht tentativat e ekuadorianëve dhe e mbajti të paprekur portën e skuadrës së tij.
Me plot 15 pritje të realizuara, Room vendosi një rekord të ri në historinë e turneut për numrin më të madh të intervenimeve nga një portier në një ndeshje të vetme të Botërorit.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga legjenda amerikane Tim Howard, i cili kishte regjistruar 15 pritje në përballjen ndaj Belgjikës në Kupën e Botës 2014.
Pas ndeshjes, Room nuk e fshehu gëzimin për arritjen e tij, duke bërë edhe një koment me humor.
“Mendoj se tani më duhet një statujë”, tha ai duke buzëqeshur transmeton Klankosova.tv.
Portieri veteran pranoi se Curacao u përball me një sfidë jashtëzakonisht të vështirë përballë presionit të vazhdueshëm të kundërshtarit.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ata na vendosën nën presion gjatë gjithë kohës, por ne luftuam deri në fund dhe e morëm një rezultat të rëndësishëm”, u shpreh Room.
Ai zbuloi se nuk ishte në dijeni të rekordit gjatë zhvillimit të ndeshjes dhe se lajmin e mori vetëm pas përfundimit të saj.
“Nuk e dija gjatë ndeshjes. Kur ma thanë pas fishkëllimës së fundit, mbeta i befasuar. Gjithsesi, më e rëndësishmja është që e ndihmova ekipin”, deklaroi portieri.
Falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Room, Curacao mbeti në garë për kualifikimin në fazën tjetër të Botërorit, ndërsa portieri hyri në histori me një nga performancat më mbresëlënëse individuale që është parë ndonjëherë në këtë kompeticion.



Të tjera
Topi i Kupës së Botës 2026 shkon në hapësirë, ndërsa NASA studion futbollin në zero gravitet
Liverpool s’heq dorë nga Diomande, gati t’ia mbush “arkat” Leipzigut
Ekspertët: Diaspora mund të ketë deputetë të garantuar në Kuvendin e Kosovës në të ardhmen