I akuzuari për ndihmë në vrasjen e S.S., Ilaz Salihu ka dhënë mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke deklaruar se për vrasjen e tani të ndjerit kishte kuptuar përmes portaleve.
Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
I pyetur se si kishte kuptuar për vrasjen e tani të ndjerit, i akuzuari Salihu deklaroi se e kishte kuptuar përmes portaleve kur kishte parë inicialet e tani të ndjerit S.S. “E kuptova përmes portaleve”, deklaroi Salihu.
I akuzuari Salihu theksoi se nga shtëpia e tij dhe vendi ku ishte vrarë tani i ndjeri është dhjetë minuta distancë ecje me këmbë, ndërsa shtoi se krismën e kishte dëgjuar pasi që, sipas tij, ai ndodhej tek bodrumi i shtëpisë në atë moment.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Salihu, avokati Nasuf Hasani propozoi që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet babai i tani dy të akuzuarve Salihu, A.S., propozim të cilin e kundërshtoj i mbrojturi i tij.
Lidhur me këtë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Alban Ajvazi mori aktvendim me të cilin e refuzoi porpozimin e avokatit Hasani, me arsyetimin se sipas vlerësimit të Gjykatës, dëshmitari i propozuar nuk vërteton çështje të caktuar ndërsa lidhur me këtë aktvendim, arsyetimin më të zgjeruar palët do ta marrin me rastin e përpilimit të aktgjykimit.
Në këto rrethana, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e ndërpreu seancën e sotme, ndërsa me kërkesë të të akuzuarit Salihu kjo Gjykatë do të angazhojë avokat sipas detyrës zyrtare për seancën e radhës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së. Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.



Të tjera
Osmani ftohet nga Trump në Bordin e Paqes, Rama uron Kosovën
Osmani: Rugova bëri bashkë popullin rreth kauzës për liri e pavarësi
8 problemet shëndetësore që shfaqin simptomat e tyre në sy