Hahn: Asnjë lëshim për Serbinë në procesin e anëtarësimit në BE

Asnjë lëshim për Serbinë në procesin e anëtarësimit në BE

Ish‑komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin, Johannes Hahn, ka përsëritur se Bashkimi Evropian nuk do të bëjë lëshime në procesin e anëtarësimit për asnjë vend kandidat, duke nënvizuar se Serbisë dhe vendeve të tjera u kërkohet të përmbushin plotësisht standardet e BE‑së para se të bëhen anëtare të bllokut.

 

Në një intervistë për revistën serbe NIN, Hahn theksoi se procesi i anëtarësimit është një vendim i rëndësishëm jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë Bashkimin Evropian, dhe se nuk ka vend për “shkurtime” apo procedura të përshpejtuara.

“Nuk ka procedurë të përshpejtuar dhe as popust. Çdo vend kandidat vlerësohet veçmas dhe në bazë të asaj që ka arritur”, ka theksuar Han, duke refuzuar idetë për një anëtarësim të përshpejtuar “në paketë” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai gjithashtu përmendi se situata e Serbisë paraqet shumë çështje të hapura, përfshirë një nivel të ulët të harmonizimit të politikës së jashtme me atë të Brukselit, një kusht që BE e vlerëson si thelbësor për integrim të suksesshëm.

“Nëse flasim për Serbinë, ende ka shumë çështje të pazgjidhura, përfshirë një nivel mjaft të ulët të harmonizimit të politikës së jashtme me atë të Brukselit”, ka theksuar ai.

Sipas tij, zgjerimi i Bashkimit Evropian kërkon përgatitje institucionale dhe sistemore, duke përfshirë edhe ndryshime në mënyrën e vendimmarrjes së BE‑së, në mënyrë që blloku të jetë i gatshëm për më shumë se 30 vende anëtare në të ardhmen.

Duke komentuar në lidhje me diskursin për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë, Hahn përsëriti se edhe këto vende duhet të plotësojnë të gjitha kriteret pa përjashtime.

“Nuk mund të ketë lëshime. Çdo shtet kandidat duhet t’i përmbushë kushtet dhe standardet e përbashkëta të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar ai.