Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot në Davos Kartën e Bordit të Paqes, duke e bërë Kosovën anëtare themeluese, të barabartë dhe me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar rëndësinë e rolit udhëheqës të SHBA-së në garantimin e paqes globale, duke e cilësuar këtë hap si moment historik për Kosovën.
“Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka bërë të ditur se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës forcon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës”, ka theksuar presidentja.
Sipas Osmanit, marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin përfundimtar të përfaqësuesve të popullit.
“Kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ajo.
Presidentja e Kosovës ka falënderuar gjithashtu Presidentin e Shteteve të Bashkuara për ftesën dhe lidershipin e tij në këtë proces.
“Faleminderit Presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik”, ka shkruar Osmani.
Në përmbyllje, ajo ka ritheksuar angazhimin e Kosovës për paqen.
“Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë”, ka përfunduar presidentja.



Të tjera
Mjekra e dyfishtë, si ta “luftoni”?
Sveçla mori pjesë në diplomimin e kadetëve që përfunduan trajnimin profesional për zjarrfikës
Rinumërohen 1,142 nga 2,557 vendvotime, procesi përmbyllet plotësisht në 11 komuna