Në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Istog në seancën e së mërkurës në gjykimin për fajde, katër të akuzuarit Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi dhe Isuf Thaqi shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje.
Më pas, sipas procesverbalit, prokurorja Sadije Muriqi dhe mbrojtja e të akuzuarve deklaruan se nuk kanë mundur të përgatiten për fjalën përfundimtare dhe një ndër arsyet ka qenë mospajisja me procesverbalin e seancës së kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Andaj, ata kërkuan që dhënia e fjalës përfundimtare të shtyhet për një ditë tjetër.
Në këto rrethana, seanca u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet në muajin shkurt.
Sipas procesverbalit, mbrojtësja e Isuf Thaqit, avokatja Majlinda Kollçaku, ua dorëzoi palëve autorizimin e kredisë në emër të të mbrojturit të tij.
Administrimin e kësaj prove e kundërshtoi prokurorja Sadije Muriqi, me arsyetimin se nuk është kontestuese fakti që i akuzuari Thaqi ka marrë kredi, por kjo provë nuk e arsyeton nëse i akuzuari këtë shumë të të hollave e ka marrë kredi me qëllim që t’ia japë borxh të dëmtuarit.
Prokurorja po ashtu kundërshtoi administrimin si provë aktvendimin e Prokurorisë Themelore në Pejë, të dorëzuar nga mbrojtësja e të akuzuarit Xhevdet Cacaj, avokatja Venera Gashi-Selmanaj, me të cilin tha se është hudhur poshtë kallëzimi penal ndaj të mbrojturit të saj, me të cilin pretendohej se ai kishte kanosur Rifat Jasiqin dhe Sh.J.
Sipas prokurores, vetë i dëmtuari ka deklaruar se nuk ka mundur ta arsyetojë me ndonjë provë kanosjen, ngase ka qenë vetëm dhe s’ka pasur kamera.
Më pas, gjykatësi Petrit Nrecaj aprovoi propozimet e mbrojtjes së Thaqit dhe asaj të Cacajt.
Ndryshe, edhe në këtë seancë mungoi i dëmtuari Rifat Jasiq, i cili meqenëse nuk e ka obligim pjesëmarrjen, në seancat e kaluara kishte deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm, por do të përfaqësohet nga përfaqësuesja e tij, avokatja Xhevahire Kloopner.
Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq. Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale dhe i njëjti është dënuar me 2 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për “Fajde”. Ai po ashtu obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit në afat prej 30 ditësh t’ia kompensojë të dëmtuarit Jasiq 16 mijë e 650 euro.
Kurse, për të akuzuarin Shërbim Berisha pocedura është veçuar më 28 tetor 2025. Ndërkaq, për të akuzuarin Arbër Gashi, proceduar u veçua në seancën e 27 janarit 2026.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.
Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.
I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.
I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.
I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.
I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.
I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.
I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.
I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.
Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës. /BetimipërDrejtësi



Të tjera
Udhëto sigurt drejt Göteborg nga Prishtina me PrishtinaTicket
A u intervistuan edhe persona të afërt me zyrtarë të KQZ? Përgjigjet Gashi
Policia e Kosovës forcon partneritetin me Policinë e SHBA-së në Teksas