Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 28 janar 2026, ka vendosur në rastin KO325/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve nga seanca e Kuvendit të Kosovës”, e mbajtur më 10 tetor 2025, të parashtruar nga Igor Simić dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Gjykata, ka vendosur: (i) të deklarojë, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme.
Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë.”



Të tjera
Eliza Hoxha nga “Liria ka Emër” viziton Nënën Ferdonije Qerkezi në Gjakovë
Katër probleme që i zgjidh vetëm hudhra
Arrestohet një inspektor i punës, kërkoi 2 mijë euro ryshfet për të lejuar zhvillimin e punimeve në një punishte