Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, pas raportimeve të mediave lidhur me vërtetësinë pamjeve të publikuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.
Kabashi-Ramaj duke thënë se ky mashtrim publik është problem institucional dhe i sigurisë kombëtare, theksoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën.
“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, theksoi ajo.
“Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca e autorizime të qarta ligjore, testime të shumta teknike dhe operative. Asnjë prej këtyre nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo me montazh vizual. Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, kërkoi më tej Kabashi-Ramaj.
Ajo tha se siguria kombëtare e Republikës së Kosovës nuk duhet të jetë material për video promovuese, montazh, shfaqje për kamera e as pronë nuk është pronë e një qeverie apo kryeministri.
“Situatë të ngjashme nga ish-kryeministri kemi pasur edhe me deklaratat për fabrikën e municionit, por asnjë qytetarë nuk ka parë plan të qartë, partneritet industrial të certifikuar, standarde të sigurisë dhe cilësisë, apo afate të besueshme dhe të verifikueshme”, theksoi deputetja e PDK-së.
Kabashi-Ramaj tha se shtyllat e sigurisë së shtetit të Kosovës kanë qenë dhe duhet të mbeten ndërtimi gradual i kapaciteteve reale dhe të verifikuara të mbrojtjes, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi në NATO dhe bashkëpunimi i thellë me vendet aleate.
“Kapacitetet reale të mbrojtjes përfshijnë forcimin profesional të FSK-së, planin 10 vjeçar për transformim duhet ta përfundojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër – dronëve në koordinim me aleatët tanë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si dhe qëndrueshmërinë shtetërore ndaj krizave”, shtoi ajo.



Të tjera
Rrëfim pas 25 vjetësh, si u vra 15 vjeçari nga sulmi i serbëve me granata në veri
Kurti përkujtoi dëshmorët Vesel Avdyli, Ilir Mërturi dhe Naim Gashi
Intervistohen edhe 28 të dyshuar për manipulim votash – Pesë ndalohen për 48 orë, katër prej tyre kryesues të komisioneve