Rinumërohen mbi 70% e vendvotimeve në QNR, 25 komuna përmbyllin procesin

“Dallaveret” me vota në Prizren, ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në kuadër të zgjerimit të hetimeve lidhur me grupin e dytë të të dyshuarve për manipulim të votave, janë intervistuar 28 të dyshuar dhe gjashtë dëshmitarë.

Sipas prokurorisë, pesë prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë.

“Katër prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 të KPRK-së, si dhe një (1) person në cilësinë e Koordinatorit të KKZ-së për Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.