Abdixhiku: LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm

Abdixhiku: LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur në kuvendin hapës të partisë, duke adresuar hapur sfidat e brendshme me të cilat përballet LDK-ja.

Abdixhiku tha se partia nuk ka arsye të fshihet dhe se duhet të flitet troç për problemet ekzistuese, duke e përmendur mungesën e solidaritetit të brendshëm si një nga dobësitë kryesore.

“Ne nuk kemi arsye të fshihemi, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Le ta themi troç, LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm dhe pa këtë solidaritet do të ngrihemi vetëm për të rënë, ashtu siç na ndodhi në vitin 2025. I shtuam 70 mijë vota, por i humbëm 45 mijë prej tyre dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi, përgjegjësi për votat që vetë i kemi shtuar e që i kemi humbur për mungesë solidariteti, kur përgjegjësia nuk merret nga pozitat drejtuese. Pa një betejë të sinqertë për ta ngritur partinë, nuk do të na shohin as të gatshëm e as idealistë”, tha ai.

Sipas tij, pa marrjen e përgjegjësisë nga pozitat drejtuese dhe pa një betejë të sinqertë për ngritjen e partisë, LDK-ja nuk do të perceptohet as si e gatshme dhe as si idealiste në sytë e qytetarëve.

“Demokracia e ka fjalën e lirë dhe pa të ajo nuk ekziston, por demokracia ka edhe shtylla thelbësore, pa to, fjala mbetet zhurmë dhe liria kthehet në paralizë. Vendimi i shumicës nuk e shuan mendimin e mirë, por e përmbyll procesin. Pas mbylljes, demokracia kërkon diçka tjetër, rreshtim, jo nënshtrim, por angazhim, jo heshtje, por kontribut. Kjo është prova e vërtetë e demokracisë”, tha mes tjerash Abdixhiku.