Kurti nderon Elfete e Mentor Humollin: Simbol i sakrificës dhe qëndresës

Simbol i sakrificës dhe qëndresës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 36-vjetorit të vrasjes së Elfete Humollit, e cila humbi jetën gjatë protestave popullore në fshatin Lupç i Poshtëm, vetëm dy javë para se të mbushte 17 vjeç.

Në fjalën e tij, Kurti vuri në pah rolin vendimtar që patën të rinjtë dhe nxënësit në lëvizjet protestuese të asaj kohe, duke theksuar se ato demonstrata shënuan një etapë të rëndësishme të rezistencës kundër pushtetit represiv.

Ai rikujtoi se protestat e janarit të vitit 1990 u shtrinë në mbarë territorin e Kosovës dhe zgjatën për disa ditë rresht. Sipas tij, një natë para ngjarjeve në Lupç të Poshtëm, protesta masive ishin mbajtur në Podujevë, për t’u zgjeruar më pas edhe në zonat përreth.

Duke folur për figurën e Elfete Humollit, Kurti theksoi pjekurinë dhe guximin e saj në një moshë shumë të re, duke përmendur se fjalët e fundit të saj kishin qenë të drejtuara për fatin e vëllait të vogël, Mentor Humolli.

Ai shtoi se Elfetja, si nxënëse e Shkollës Ekonomike, ishte pjesë aktive e demonstratave për Republikën e Kosovës dhe për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, duke u radhitur në mesin e atyre që i paraprinë rezistencës së armatosur dhe luftës çlirimtare.

Në fund, Kurti përkujtoi edhe Mentor Humollin, duke theksuar se familja Humolli mbetet simbol i sakrificës dhe qëndresës së vazhdueshme të popullit të Kosovës.