Plagosje në Mitrovicë, policia jep detaje

Plagosje në Mitrovicë, policia jep detaje

Një person ka rënë në pranga nën dyshimet për plagosjen e një personi në armë zjarri në rrugën “Ilaz Kodra” në Mitrovicën e Jugut.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. I njëjti ka thënë se viktima është dërguar për tretman mjekësor, teksa i dyshuari ka rënë në pranga dhe i është konfiskuar një armë zjarri.

“Rreth orës 14:00, Policia ka pranuar informatën për një person të plagosur nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në rrugën “Ilaz Kodra” në Mitrovicën e Jugut . Viktima i moshës madhore ( mashkull) i plagosur është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë një person të dyshuar, i cili dyshohet se ka plagosur viktimën. Në cilësinë e provës materiale, nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri”, ka thënë Zahiti.

Ai ka shtuar se hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e rastit, janë duke vazhduar procedurat e mëtejme hetimore.