Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 1 shkurt se shteti nuk ka asnjë lidhje me aferën që bërë e ditur pas kapjes së pesë tonëve të marihuanës në pronën e një zyrtari lokal të partisë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Ai ka thënë se policia “ka arrestuar njerëz” dhe që kundërshtarët e tij politikë “kanë kthyer gjithçka mbrapsht” dhe pretendojnë se shteti është mbrapa aferës.
“Njerëzit nga Policia gjetën pesë tonë të një lloj droge. Tani, nëse vetëm djali e ka ditur për këtë apo të dy, edhe djali edhe babai, kjo është çështje tjetër, le ta vendosin autoritetet kompetente, nuk dua të pretendoj asgjë. Ne e kemi kryer atë operacion”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink.
Më 29 janar, Policia e Serbisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit për Krim të Organizuar ka konfiskuar pesë tonë marihuanë në zonën e fshatit Konjuh afër Krushevcit, në Serbinë qendrore.
Të dyshuar për këtë rast janë Aleksandar Mijajlloviq, Nebojsha Spasojeviq, Rade Spasojeviq, Ivan Dragniq and Urosh Mlladenovski.
Autoritetet kanë kërkuar lëshimin e një fletarrestimi, përfshirë edhe atë ndërkombëtar për Aleksandar Mijajlloviqin, i cili është identifikuar si organizator i grupit të organizuar kriminal dhe tani është në arrati.
Sipas autoriteteve serbe, grupi ka vepruar në nivel ndërkombëtar dhe ka përvetësuar pesë tonë të marihuanës në territorin e Maqedonisë së Veriut përgjatë muajit janar.
Presidenti i partisë opozitare Lëvizja Popullore e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, ka thënë përmes një postimi në X – dikur Twitter, se njëri prej të arrestuarve gjatë sekuestrimit të drogës ishte një këshilltar i Partisë Përparimtare Serbe, parti në pushtet, në Krushevc.
Aleksiq ka thënë se personi i arrestuar është “mik dhe ndihmës i ngushtë” i familjes së ministrit të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq.
Ministri Gashiq nuk ka bërë ndonjë koment pas akuzave dhe as nuk e ka përmendur emrin e personit të arrestuar.
Përmes një deklarimi të publikuar në gazeta serbe, ai i ka përgëzuar autoritetet policore dhe të sigurisë për aksionin, duke thënë se veprime si këto tregojnë se “nuk ka njerëz të mbrojtur në Serbi”.



Të tjera
Këto janë punët më stresuese në botë
Pesëmbëdhjetë minatorë të vrarë nga greva ruse në Ukrainë, thotë kompania e energjisë
Ukë Rugova për Presidenten Osmani: Është një Rugoviste