Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka dhënë detaje për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Të martën pas aktiviteteve me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Mitrovicë, Peci tha se LDK në Mitrovicë kishte kërkesa që nuk ishin në proporcion me fuqinë e tyre politike të marrë në zgjedhjet lokale.
Peci tha se qasja e tij ka qenë gjeneroze, mirëpo, siç shtoi, LDK kishte kërkesa të mëdha për drejtori komunale, ndërmarrje publike, krahas postit të kryesuesit të asamblesë.
“Unë kam qenë tepër bashkëpunues me shumicën e partive politike dhe asambleistëve që janë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës. Qasja ime ka qenë shumë gjeneroze, por nuk mundesh me pretendu me 3 për qind as me qenë nënkryetar i komunës dhe me marrë përgjegjësi më shumë sesa ju takon. Lëre më të kesh pretendime të drejtohesh të gjitha ndërmarrjet komunale, katër prej sosh që i kemi. Nuk mundesh me tre për qind me pretendu me i marrë edhe përgjegjësitë në ekzekutiv, edhe kryesuesin, drejtorët dhe për katër ndërmarrje. Një herë e mirë ne si politikë duhet të edukohemi që kërkesat t’i kemi në proporcion me fuqinë politike që e përfaqësojmë”, tha ai.
Kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka bërë të ditur të mërkurën se kanë marrë vendim për shkëputje të koalicionit me LVV-në, sipas tij për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje.



Të tjera
Si u shndërrua Gaza në debat të brendshëm politik në Kosovë
Kurti nga Podujeva: Hapat për formimin e institucioneve
Reagimi i familjes së Haki Imerit ndaj projektit të Isa Mustafës