Kompania që ndërton vila luksoze për gratë e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit, lë punëtorët pa paga dhe pa ngrohje

Punëtorët e kompanisë ‘FPM Agromehanika’ nga Boljevci i Serbis, kanë denoncuar kushte të rënda pune, duke deklaruar se prej muajsh nuk kanë ngrohje në objektet ku jetojnë dhe punojnë, ndërsa pagat u vonohen pa afat të qartë. Ironikisht, e njëjta kompani është e angazhuar në ndërtimin e komplekseve luksoze në lagjen elitare Dedinje në Beograd, në afërsi të vilave që po ndërtohen për bashkëshortet e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit. Aty ndodhen edhe toka dhe objekte në pronësi të Nikola Petroviqit, kumbar i presidentit Aleksandar Vuciq.

Punëtorët, shumica banorë të Boljevci, i kanë përshkruar problemet e tyre në një letër drejtuar deputetes së Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), Jelena Milošević. Ata theksojnë se pagat po vonohen sërish, se ngrohja nuk funksionon që nga fillimi i sezonit dimëror, ndërsa faturat për energji elektrike dhe ngrohje vazhdojnë t’u vijnë, edhe pse objektet janë praktikisht të ftohta.

“Punëtorët janë detyruar të punojnë në të ftohtë, sepse drejtuesit e repartit kursejnë energjinë elektrike. Flitet për tepricë punëtorësh në prodhim, ndërsa në realitet teprica është në zyra. Situata është e rëndë dhe e pasigurt”, thuhet në letrën e punëtorëve.

Ata shtojnë se inspektori komunal ka matur temperaturat në ndërtesa, punishte dhe banesa për disa ditë rresht, por procesverbali ende nuk u është dorëzuar.

Nga ana tjetër, pronari faktik i kompanisë, biznesmeni Zvonko Gobeljiq, i mohon akuzat. Ai deklaron për Nova.rs se ngrohja funksionon 24 orë në ditë dhe se pagat janë paguar rregullisht, përfshirë edhe pagën e janarit. Gobeljić shton se në kompani ekziston një sindikatë e pavarur që, sipas tij, mbron të drejtat e punëtorëve.

Sipas të dhënave zyrtare, FPM Agromehanika realizoi në fund të vitit 2024 të ardhura prej 32.7 milionë euro dhe fitim prej 3.2 milionë euro, edhe pse me rënie krahasuar me vitin paraprak. Pikërisht kjo kompani po ndërton një kompleks luksoz në bulevardin “Knez Aleksandar Karaxhorxheviq” në Dedinje, me katër lamela dhe vlerë investimi rreth 3.4 milionë euro.

Në të njëjtën zonë, vila luksoze po ndërtojnë edhe Ema Radoiçiq dhe Ljiljana Bozhoviq, bashkëshortet e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, figura të njohura të lidhura me pushtetin në Serbi. Në lagje posedojnë prona edhe persona të afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Ndërkohë, punëtorët e FPM Agromehanikës mbeten pa përgjigje konkrete rreth pagave të sigurta dhe pa ngrohje, kompania e tyre ndërton luks për elitën më të fuqishme të Serbisë që janë njëherit edhe njerëzit më të afërt të Vuiqit.