Profesori universitar Dorejet Imeri ka shkruar për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO, e cila konsiderohet një nga synimet më të rëndësishme strategjike të shtetit të Kosovës, raporton KosovaPost.
Postimi i plotë:
Hyrja e Kosovës në NATO, mbyllje e derës për Serbinë për destabilizim e kërcënim
Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga synimet më të rëndësishme strategjike të shtetit të Kosovës, sepse lidhet drejtpërdrejt me historinë dhe raportin që ka shteti i ri me aleancën më të fuqishme në botë, lidhet me sigurinë kombëtare dhe rajonale, por edhe me kontributin për paqe. Ka edhe mendime se kjo do të konsiderohej edhe si një formë e avancuar e konsolidimit plotë të shtetësisë.
Historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me NATO-n, veçanërisht për faktin se ishte ndërhyja e kësaj organizate ajo që i dha fund luftës dhe e ndaloi spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë. Që atëherë, por edhe paraprakisht, NATO, është ideali i sigurisë së Kosovë. Që nga ajo kohë, prania e NATO-s përmes KFOR-it ka qenë faktor kyç për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe partnere besnik e avancimit dhe funksionalzimit të plotë të kapaciteteve të FSK-së, ushtrisë së Kosovës.
Siguria është një nga arsyet kryesore pse anëtarësimi në NATO është jetik për Kosovën. Si një shtet i ri, i përballur ende me kërcënime të çdollojshme nga Serbia, Kosova ka nevojë për garanci afatgjata sigurie. Anëtarësimi në NATO do të nënkuptonte mbrojtje kolektive dhe do të zvogëlonte ndjeshëm rrezikun e destabilizimit, cenueshmërinë territoriale dhe forma të tjera të ndërhyrjeve nga jashtë. Në këtë kontekst, kongresmeni amerikan Keith Self ka theksuar se Ballkani mbetet një rajon me siguri delikate, duke e quajtur “fuçi baruti”, dhe ka argumentuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte një element kyç stabilizues për rajonin.
Kosova nuk do të ishte vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuese për paqen. Anëtarësimi në NATO do t’i mundësonte Kosovës të marrë pjesë në misione paqeruajtëse dhe në iniciativa ndërkombëtare të sigurisë, duke u shndërruar nga një vend që ka nevojë për mbrojtje në një vend që kontribuon në stabilitetin ndërkombëtar. Ky rol do ta forconte pozitën e Kosovës si shtet përgjegjës dhe i besueshëm në arenën globale.
Po ashtu, anëtarësimi në NATO do të kishte një rëndësi të veçantë për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës. Ai do ta forconte subjektivitetin ndërkombëtar të saj, prandaj anëtarësimi i Kosovës në NATO është kaq i rëndësishëm sepse përmbledh në vetvete sigurinë, paqen, stabilitetin rajonal dhe konsolidimin e shtetit. Ai do ta mbyllte një kapitull historik të pasigurisë dhe do ta hapte një kapitull të ri të integrimit euroatlantik, duke e pozicionuar Kosovën si një faktor stabilizues dhe paqedashës në Ballkan dhe më gjerë.



Të tjera
Përfitimet shëndetësore që marrim nga hudhra
Shenjat se keni shumë toksina në trup
Truri ka marrëdhënie me ushqimet e kripura