Vjen një reagim nga LDK pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë që Thaçi e të tjerët të dënohen me 180 vjet burg

Vjen një reagim nga LDK pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë që Thaçi e të tjerët të dënohen me 180 vjet burg

Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haziri ka shkruar edhe se, lufta për liri dhe pavarësi e shqiptarëve është realizuar përmes rezistencës paqësore politike, dhe se, kryengritja çlirimtare e popullit të Kosovës përmes UÇK-së është e drejtë, si mjeti i fundit i politikës.

‘’Liria dhe Pavarësia e Kosovës nuk mund të damkosen, sepse ishin qëllim i pastër dhe e drejtë. Kjo edhe do të rikonfirmohet së shpejti!’’, ka shkruar mes tjerash Haziri.

Postimi i tij i plotë:

Liria dhe Pavarësia e Kosovës nuk mund të damkosen!

Lufta për liri dhe pavarësi e shqiptarëve është realizuar përmes rezitencës paqësore politike. Ndërkaq, kryengritja çlirimtare e popullit të Kosovës përmes UÇK-së është e drejtë, si mjeti i fundit i politikës. Pra, mbrojtja e familjes dhe pronës kulmoi në kryengritje të drejtë.

Në anën tjetër, krimet e Serbisë deri në gjenocid kundrejt popullit shqiptar të Kosovës janë plagë të hapura ende.

Drejtësia e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, duhet dhe pritet të konfirmohet.

Kjo drejtësi ndaj udhëheqësve të luftës, është e lidhur me të drejtën e vendosur më 2 korrik 1990, me 2 shtatorin e 1990, si ditë e organizimit ushtarak institucional me grupet e para që përfshinin ushtrimet ushtarake në kazermat e Shqipërisë, pjesë e marrëveshjes së presidentëve Rugova-Alija dhe e konfimuar më 17 shkurt 2008.

Liria dhe Pavarësia e Kosovës nuk mund të damkosen, sepse ishin qëllim i pastër dhe e drejtë. Kjo edhe do të rikonfirmohet së shpejti!