Bekim Jashari kundër Speciales: Po gjykohet lufta e UÇK-së apo historia e Kosovës?

Bekim Jashari ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook ndaj asaj që ai e quan një qasje shqetësuese dhe të rrezikshme të Prokurorisë së Gjykatës Speciale lidhur me Luftën Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, akuzat e ngritura përbëjnë vazhdimësi të propagandës serbe, e cila, siç shprehet Jashari, ka arritur të depërtojë edhe në këtë institucion të drejtësisë ndërkombëtare.

Në reagimin e tij, Jashari thekson se çdo vendim gjyqësor duhet të mbështetet në fakte të verifikueshme, duke nënvizuar se faktet historike dhe argumentet janë qartazi në anën e popullit të Kosovës, i cili luftoi për liri dhe krijoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai rikujton se UÇK-ja gëzoi mbështetje ndërkombëtare dhe, në bashkëpunim me NATO-n, kontribuoi drejtpërdrejt në çlirimin e vendit.

Sipas Jasharit, lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës, gjë që, siç thotë ai, është dëshmuar edhe nga bota demokratike. “UÇK-ja është e pastër si loti dhe aleati kryesor i NATO-s për vendosjen e paqes në Ballkan”, thekson ai, duke shtuar se kjo përbën provë të qartë se Kosova nuk ishte agresori në konflikt.

Postim i plotë:

Të gjitha këto akuza janë vazhdimësi e gjithë propagandës serbe, e cila fatkeqësisht ka arritur të depërtojë me lehtësi edhe në këtë gjykatë.

Vendimet e kësaj gjykate duhet të jenë të mbështetura në fakte, e faktet dhe argumentet janë në anën e popullit që kërkoi liri dhe krijoi UÇK-në, e cila fitoi mbështetjen ndërkombëtare të miqve tanë dhe, bashkë me NATO-n, sollën lirinë tonë.

Për këtë luftë të drejtë, që respektoi ligjet ndërkombëtare të luftës, dëshmoi edhe bota demokratike me fakte se UÇK-ja është e pastër si loti dhe aleati kryesor i NATO-s për të instaluar paqen në Ballkan. Kjo është prova se Kosova nuk ishte agresori.

Në Kosovë kishte vetëm një palë që kishte bërë krime, madje makabre, ajo është Serbia, kriminelët e së cilës shëtisin të lirë, ani pse kanë vrarë më shumë se 10.000 shqiptarë, mbi 100 masakra janë kryer ndaj civilëve, përfshirë fëmijë dhe pleq, rreth 1 milion njerëz janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, mbi 20.000 gra e vajza kanë përjetuar dhunë seksuale, vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse nuk duronin më të jetonin në robëri.

Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli .