Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “i dhanë fund sot luftës me Iranin” dhe se është arritur një marrëveshje historike, sipas së cilës Teherani zyrtarisht pranon se nuk do të zotërojë kurrë armë bërthamore.
Trump i bëri këto deklarata gjatë një tubimi virtual në mbështetje të kandidatit për Senat, Barry Moore, duke theksuar se negociatat janë përmbyllur me sukses.

“Nuk e di nëse keni dëgjuar, por sot i dhamë fund luftës me Iranin. Ata ranë dakord që të mos kenë kurrë armë bërthamore, gjë për të cilën ne kemi këmbëngulur. Sot i mbyllëm llogaritë me Iranin. Njerëzit do të fillojnë të kthehen në shtëpi shumë shpejt”, u tha ai mbështetësve të tij.
Presidenti amerikan theksoi se marrëveshja është praktikisht e përfunduar dhe se përmbush të gjitha kërkesat e Uashingtonit, duke përfshirë edhe kthimin e afërt të ushtarëve amerikanë në shtëpi. Ai veçoi një element të negociatave që lidhet me kufizimet ndaj Teheranit.
“Gjëja më e rëndësishme është se në Iran nuk do të ketë armë bërthamore. Kjo do të thotë se ata jo vetëm që nuk do t’i zhvillojnë, por as nuk do t’i blejnë”, shpjegoi Trump dhe shtoi “kishin një klauzolë sipas së cilës nuk do të zhvillonin armë. I pyeta: ‘Po për blerjen çfarë ndodh?’. Më thanë se kjo nuk ishte përfshirë. Dy ditë më vonë, pranuan edhe këtë. Morëm gjithçka që donim”.
Këto deklarata optimiste pasojnë njoftimet e mëparshme të Trumpit se nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes për përfundimin e konfliktit mund të mbahet që këtë fundjavë në Evropë.
Më herët, ai u kishte thënë gazetarëve se marrëveshja do të sjellë përfitime të menjëhershme ekonomike dhe gjeopolitike, veçanërisht sa i përket rrugëve globale të transportit detar.

“Ngushtica e Hormuzit do të hapet zyrtarisht sapo të nënshkruajmë marrëveshjen. Kjo mund të ndodhë shumë shpejt, ndoshta gjatë fundjavës në Evropë. Unë nuk do të mund të jem i pranishëm, por atje do të jetë zëvendëspresidenti JD Vance dhe disa persona të tjerë”, deklaroi Trump.
Megjithatë, ndërsa Uashingtoni po e paraqet këtë si një fitore diplomatike, nga ana iraniane ende nuk ka konfirmim zyrtar për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare apo për pranimin e të gjitha kushteve të përmendura.
Kujtojmë se situata më herët ishte në prag të përshkallëzimit. Trump anuloi në momentin e fundit sulmet ushtarake dhe bombardimet e planifikuara ndaj Iranit, pasi mori konfirmim se negociatat ishin ngritur në nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane.



Të tjera
Aguirre i përgjigjet trajnerit të Afrikës: Duhej t’i shënonim pesë gola
Bëhet ‘meme’ momenti kur gjyqtari flet anglisht dhe afrikano-jugori nuk kupton asnjë fjalë gjatë kartonit të kuq
Uthulla një ilaq popullor, pijeni para gjumit